Sport

Xavi: Jam i zemëruar, ishte një padrejtësi


Barcelona u mposht nga Inter-i në mbrëmjen e kaluar, në ndeshjen e tretë të fayës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Italianët u mjaftuan me golin e vetëm të shënuar nga Hakan Calhanoglu, derisa Barcelonës iu anulua një gol nga sistemi VAR për një prekje të topit me dorë nga ana e Ansu Fati-i, kurse një penallti nuk u akordua në favor të tzre, që për trajnerin, Xavi Hernandez është një padrejtësi e madhe.

“Jam shumë i zemëruar, nuk kam asnjë fjalë tjetër përveç zemërim. Ishte një padrejtësi. Unë thash edhe mbrëmë se gjyqtarët duhet të japin një shpjegim për vendimet e tyre”, tha Xavi.

“Për sa më përket mua, prekja me dorë është shumë i qartë. Prandaj, vendimet e gjyqtarit kanë qenë vendimtare në rezultat”, shtoi trajneri katalanas.

Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit, Xavi e pranon që Barcelona nuk ishte në nivelet e saj, por ai tha se ekipi i tij ka ende për të bërë dhe nuk është dorëzuar.

“Ne u zgjuam shumë vonë, vetëm në fund, por nuk i konkretizuam rastet tona. E dinim që gjuajtja e Calhanoglu nga jashtë zonës ishte një nga pikat e tyre të forta, por ne kemi ende tre finale në këtë grup”, theksoi Xavi.

“Situata është komplekse dhe ne duhet të përpiqemi ta kthejmë atë në rrugën e duhur. Realiteti është se ne kemi dy ndeshje të rëndësishme për të luajtur në shtëpi dhe duhet t’i luajmë ato me më shumë intensitet dhe një ritëm më të lartë”, tha mes tjerash Xavi.

Pas tre ndeshjeve në fazën e grupeve, Barcelona tani mban vendin e tretë me vetëm një fitore dhe dy humbje, ndërsa Inter ka tre pikë më shumë në vendin e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore