Sport

Wijnaldum-i kërkon rikthimin në Premier League


Georginio Wijnaldum-i ishte një nga transferimet e bujshme të verës te francezët e PSG-së. Pa kaluar ende sezoni i parë në “Parc des Princes”, holandezi po mendon largimin nga parizienët.

Sipas medias angleze “Team Talk”, ish-lojtari i Liverpool-it dhe Newcastle-t, po kërkon rikthimin në Premier League.

Synimi i mesfushorit është të arrijë sa më shumë minuta dhe të ketë vazhdimësi në lojën e tij, në mënyrë që të sigurojë një vend në listën finale të Holandës për Kupën e Botës, Katar 2022.

Nën drejtimin e Mauricio Pochettino-s, deri më tani ai nuk ka treguar vazhdimësi në lojë. Wijnaldum-i është paraqitur në 19 ndeshje këtë sezon ose në total në 859 minuta. Minuta të cilat nuk përmblidhen as në 10 ndeshje të plota.

Edhe PSG-ja duket se nuk do e pengojë lojtarin të largohet. Por, klubi që do e transferojë do të duhet të pagujë për kartonin e Wijnaldum-it.

Ndonëse, ai u transferua me parametra zero në Paris, një gjë e tillë nuk do të ndodh, nëse ai largohet në merkaton e ardhshme të dimrit ose verës nga Franca.

31-vjeçari ka kontratë deri në 2024 me PSG-në dhe vlera e kartonit te tij shkon në rreth 30 milionë euro, sipas “Transfermarkt”-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore