Muzikë

Whitney Houston me koncert-hologram në tetor


Whitney Houston, hologram

Koncerti hologram “An Evening With Whitney: The Whitney Houston Hologram Concert”, i krijuar nga produksioni “BASE Hologram”, në bashkëpunim me “Houston estate” – i cili ishte paraparë të shfaqej në Las Vegas para gjendjes pandemike me Covid-19, pritet të shfaqet në tetor në Las Vegas.

Kjo shfaqje e veçantë – që shfaq holograme nga të gjitha fazat e karrierës së këngëtares së madhe Houston, së bashku me këngëtarë, vallëtarë, dhe muzicienë të tjerë në prapavijë – vjen në magjinë e e saj më 26 tetor në “Harrah Showroom”, Las Vegas.

Biletat mund të blihen në Ticketmaster dhe Vivid Seats.

Pat Houston, vitin e kaluar kishte thënë se në vitin 2011 ajo kishte biseduar me Whitney-n për një turne koncertesh unplugged, dhe se tani kjo “An Evening With Whitney”, përmbushë pikërisht atë dëshirë të saj të parealizuar për shkak të vdekjes së këngëtares.

“Edhe pse Whitney nuk është më me ne, trashëgimia që ka na lënë jeton përgjithmon në ne. Ky koncert është një mundësi tjetër për ne që t’i rijetojmë dhe të festojmë talentin e saj, talent të cilin kishim fatin ta përjetonim në më shumë se tre dekada”, ka thënë motra e Whitney-t, Pat Houston.

Kurse drejtori ekzekutiv i produksionit “BASE Hologram”, Marty Tudor, ka thënë se ky koncert digjital vie si përpjekje për ti kushtuar homazh këngëtares së ndjerë.

“Është një përzjerje e ndërlikuar, nëse doni ta quani ashtu. Mund ta bëja Whitneyn duke fluturuar në skenë po të donte ajo, por ajo s’do ta donte këtë. Një prej gjërave më të rëndësishme është se ne duam të jemi autentikë. Për mua është e çuditshme të bëjmë diçka me të cilën artisti s’do të pajtohej. Por nëse jeni autentik dhe jetoni brenda rregullave të asaj se çfarë njerëz ishin ata, kjo është një festë që u bëjmë trashëgimisë së tyre”, ka thënë Tudor.

Këngëtarja e madhe ndërkombëtare, Whitney Houston, u gjet e vdekur në një vaskë të një hoteli në Beverly Hills më 11 shkurt, 2012. Raporti i mjekut ligjor kishte paraqitur si shkak të vdekjes mbytjen aksidentale, të shoqëruara nga sëmundje të zemrës, gjithashtu edhe përdorimit e substancës narkotike, kokainë, si faktor kontribues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore