Lajme

VV sulmon Escobar-in: Po ia mban premtimin Brnabiç-it


Lëvizja Vetëvendosje

“Një person dhe një palë nuk mund të braktisin zbatimin e pikave ligjërisht të detyrueshme, ky është një fakt. Ne do ta bëjmë, do ta bëjmë duke gjetur partnerë, ka shumë njerëz që dëshirojnë të shohin marrëdhënie më të mira mes serbëve në veri dhe në pjesën tjetër të vendit”.

Kjo deklaratë e emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk iu ka pëlqyer aspak përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë vazhduar me kritika ndaj diplomatit amerikan lidhur me insistimin e tij të vazhdueshëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, përmes një shkrimi të shkurtër në llogarinë e tij në Facebook, ka komentuar takimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë tjerë politikë për të diskutuar lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Abrashi tha se emisari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, po ia mban premtimin kryeministres serbe, Ana Brnabiç, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet deri në fund të janarit të vitit 2023.

“Takimi të marten në ambasadë amerikane në Prishtinë po mbahet në ditën e fundit të janarit, sepse Escobar i ka premtuar Brnabiç-it që deri në fund të janarit do ta detyrojë Kosovën ta diskutojë ASMM (Association of Serb Majority Municipalities)”, shkroi ai.

Kjo teori e deputetit të VV-së, vjen një ditë pas intervistës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë për Radio Evropa e Lirë, ku ndër të tjera fajësoi Escobar-in për presionin që po i bëhet Kosovës dhe situatës së krijuar rreth çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se ky takim po zhvillohet si pasojë e insistimit të tij, për të cilin shprehu një grimcë dëshpërimi.

Ai tha se nuk është ftuar në takimin e organizuar nga Ambasada e SHBA-ve më 31 janar, ku do të diskutohet më në detaje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se ka pritur nga i dërguari i posaçëm që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, theksoi Kurti.

Kreu i ekzekutivit, në këtë intervistë për REL, e pranoi se ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova nuk do të tregohet konstruktive në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi.

Ndryshe nga Kurti, në takim janë ftuar zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi dhe ministri Nenad Rashiç, kurse në takim janë ftuar edhe partitë e tjera parlamentare, por nuk dihet ende nëse do të marrë pjesë ndonjë përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore