Vende

Vullkani në Tonga, që krijoi një ishull të ri


Në Tonga shpërthimet vullkanike nuk janë të reja.

Një pjesë e madhe atje – një arkipelag me mbi 170 ishuj – i detyrohet ekzistencës së tij aktivitetit vullkanik. Ky i fundit krijoi zinxhirin e tij të ishujve perëndimorë mijëra vjet më parë.

Një vullkan aktiv nënujor në zonë, i quajtur Home Reef, është krijuesi i një sërë prej tyre. Herë pas here, ai nxjerr një përzierje llave, avulli dhe hirit që grumbullohet.

Dhe në fund formon një ishull.

Ky ishte edhe rasti në fillim të këtij muaji, kur një ishull i ri u krijua 11 orë pas shpërthimit në Home Reef më 10 shtator.

Fillimisht ishte rreth një hektar, por brenda pak ditësh u zgjerua në rreth 8.6 hektarë për shkak të stuhisë së fundit të shpërthimeve të vullkanit.

Teksa fjala ishull mund të ngjallë imazhe të plazheve me rërë dhe vegjetacionit të harlisur, ky nuk është rasti me këta ishuj vullkanikë.

“Është më shumë si një shtresë e madhe hiri dhe avulli mbi oqean”, ka thënë Rennie Vaiomounga, një gjeologe në Shërbimet Gjeologjike në Tonga.

Shpërthimet në Home Reef shpesh kanë prodhuar masa të reja tokësore. Por shfaqja sporadike e ishujve është disi një “puzzle gjeologjik”, sipas Vaiomounga.

“Ne kurrë nuk e dimë se kur do të shfaqet ishulli apo kur do të zhduket”, ka shtuar ajo.

Mund të duhen shekuj, dekada ose ndonjëherë vetëm disa vjet që një vullkan të shpërthejë dhe të formojë një ishull.

Shpërthimi i parë i regjistruar në Home Reef ishte në vitin 1852. Pesë vjet më vonë, ai shpërtheu edhe një herë. Në të dyja rastet u prodhuan ishuj të vegjël, por ishin të përkohshëm.

E njëjta gjë ndodhi përsëri në vitet 1984 dhe 2006.

Çdo herë, ishujt e vegjël marrin një formë tjetër. Ai i vitit 1984 – i cili kishte një sipërfaqe pak më shumë se 185 hektarë – dukej si një dërrasë drejtkëndëshe.

Kurse në vitin 2006, ishulli që u formua ishte më shumë i ngjashëm me një gisht të madh që dilte jashtë ujit, me tumën e rrumbullakosur që zhvillonte shkëmbinj që ishin të paktën 164 metra të lartë.

Këtë herë, ishulli i ri duket si një nishan rrethor thuajse i përkryer që del jashtë rreth 49 metra mbi sipërfaqen e oqeanit.

Kur shpërthejnë vullkanet, magma copëtohet në copa xhami të vogla që dalin në ajër, të njohur ndryshe si hiri, sipas  Vaiomounga. Nëse ajo përzierje e mineraleve të copëtuara të qelqit dhe shkëmbinjve del nga një vullkan nënujor, ajo shkon në oqean.

Sakaq, një shenjë treguese e një shpërthimi nënujor është një pellg me guraleca vullkanike që e lë sipërfaqen e ujit të duket si një plazh shkëmbor.

Ndonjëherë, ato minerale udhëtojnë qindra milje larg dhe përfundimisht dalin deri në breg. Por gjithashtu mund të ndërtohen dhe të formojnë një ishull.

Pyetja e radhës është se sa kohë do të mbijetojë ishulli i sapolindur.

Ai i vitit 2006 u fundos në vitin 2008, kur maja e vullkanit u zhyt rreth 33 metra nën ujë. Vullkani Late‘iki, gjithashtu në Tonga, krijoi një ishull që u zhduk pas dy muajsh në vitin 2020. I njëjti vullkan kishte prodhuar më parë një ishull që mbeti për 25 vjet.

Shpesh ishujt kalimtarë nuk jetojnë gjatë pasi erozioni i largon.

Mineralet që i kthejnë ato në ishuj kthehen ngadalë në shtretërit e detit të krijuesve të tyre, të cilët më pas do të nxjerrin ishuj të rinj në të ardhmen.

Ndryshe, një cikël gjeologjik i jetës, sipas Vaiomounga.

Marrë nga “The Washington Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore