Lajme

Vullkani i njohur si Big Ben pranë Antarktidës kapet nga sateliti duke hedhur llavë


Një nga dy vullkanet aktive të Australisë në një ishull afër Antarktidës – i njohur si Big Ben – është parë nga sateliti që nxjerr llavë.

Rrjedha e llavës në ishullin e pabanuar Heard, rreth 1 mijë e 500 kilometra në veri të Antarktidës, është pjesë e një shpërthimi të vazhdueshëm që u vu re për herë të parë më shumë se një dekadë më parë.

Sakaq, imazhi u kap nga sateliti Copernicus Sentinel-2 i Agjencisë Evropiane të Hapësirës më 25 maj.

Llava shihet duke rrjedhur poshtë anës së Big Ben-it nga afër majës, e njohur si Mawson Peak.

Raportet nga Programi Global i Vullkanizmit në Institutin Smithsonian, përpara se imazhi të shpërndahej, sugjerojnë se rrjedha aktuale e llavës është pjesë e një “episodi shpërthimi” që ka vazhduar që nga shtatori 2012.

Programi ka të dhëna të shpërthimeve në ishullin Heard që kthehen prapa deri në vitin 1910.

Teresa Ubide, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Queensland, ka treguar se “ky vullkan ka shpërthyer që nga fillimi i shekullit të XX-të”.

“Ajo që po ndodh është krejt normale dhe po gjeneron rrjedha llave”, ka detajuar ajo.

Programi Global i Vullkanizmit regjistron rreth 20 incidente të rrjedhjes së llavës që nga shtatori 2012.

Ubide ka treguar se ishulli Heard ishte i njohur si një vullkan i brendshëm sepse ishte në mes të një pllake tektonike në vend që të ishte në kufijtë e tyre.

Dhe se këto lloj vullkanesh u shkaktuan nga një “pikë e nxehtë” brenda Tokës.

“Shumë shpërthime përbëhen nga ngjarje më të vogla. Rrjedha më e fundit duket se po ndjek atë që po ndodh atje që nga viti 2012”, ka thënë ajo.

Vullkani Big Ben dhe ishulli Heard ndodhen në pllakën e Antarktidës. Ka më shumë se 100 vullkane në Antarktidë, duke përfshirë rreth 90 që janë të fshehura nën akull.

Ishulli Heard ndodhet në Rrafshnaltën Kerguelen që është ngritur rreth 3 mijë metra mbi dyshemenë e detit përreth.

Ishulli Heard mbulon 368 kilometra katrorë dhe është rreth 40 kilometra i gjatë dhe 20 kilometra i gjerë.

Maja Mawson në majën e Big Benit është 2 mijë e 745 metra mbi nivelin e detit – 517 metra më e lartë se maja më e madhe në kontinentin e Australisë, mali Kosciuszko në Uellsin e Ri Jugor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore