Lajme

Vulin përsëri zë në gojë Botën Serbe, thotë se është ide vetëm e tij


Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandër Vulin

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandër Vulin, përsëri e ka zënë në gojë “krijimin e botës serbe”, për të cilën ka thënë se “është ide personale e imja” dhe se “është ide e drejtë e imja politike ta përfaqësojë”.

“Nuk është ide as e Qeverisë së Serbisë e as e Presidentit”, deklaroi Aleksandër Vulin.

Përsëri Vulin foli për idenë e vjetër të “Serbisë së Madhe” të rinovuar në konceptin, ndonëse më të lehtë për nga tingulli, të “Botës Serbe”.

”Fuqishëm besoj që krijimi i Botës Serbe si një popull njëjës është nevojë thelbësore e serbëve, dhe s’ka rrezik nga kjo. Kryeministri hungarez Viktor Orban e kupton mirë Botën Serbe, sepse hungarezët kanë botën e tyre, me një diasporë të gjerë”, thotë ai.

Këtë ide, Vulin e lidhi me serbët, sipas tij, të diskriminuar jashtë Serbisë.

“A e dini kush ka problem me Botën Serbe? Vetëm ato vende që diskriminojnë serbët. Hungarezët nuk e kanë këtë problem, këtu e respektojnë minoritetin serb, edhe po zvhillohet. Vetëm atyre që s’e kanë kryer ende spastrimin etnik kjo u pengon, edhe 4 përqind serb i shqetësojnë”, deklaroi Ministri i Policisë së Serbisë.

Madje, Vulin, mohoi se ka avokuar për ndryshim kufijsh ndonjëherë në Ballkan, ndonëse një pyetje të tillë e kishte shtruar publikisht në prill të këtij viti në një tubim të Partisë Sociale Serbe në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore