Lajme

Vuçiçi ia shpreh Lajçakut një “shqetësim të thellë” në Nju Jork


Miroslav Lajcak dhe Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten ka takuar Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilit ia ka shprehur “shqetësimin e thellë” për gjendjen e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Në kuadër të javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), kreu i shtetit serb ka pandehur se “Serbia do të bëjë çdo përpjekje diplomatike për të mbrojtur popullin dhe vendin e saj” në takimin e tij me diplomatin sllovak të enjten, derisa ka kërkuar më shumë përfshirje të BE-së në këtë drejtim.

“E kam informuar Lajçakun për situatën në Kosovë dhe kam shprehur shqetësimin e thellë për rreziqet e sigurisë me të cilat përballet çdo ditë populli serb. Unë kam kërkuar më shumë përfshirje të BE-së për të ruajtur paqen derisa populli ynë të mbetet në vatrat e tij shekullore”, ka shkruar Vuçiçi në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”.

Mbështetje për Kosovën presidenti serb nuk ka kërkuar vetëm nga përfaqësuesi evropian. Vuçiçi të enjten ka takuar edhe zëvendës-presidentin e Kinës, Han Zheng, të cilit i ka kërkuar mbështetje për “situatën e vështirë” të serbëve në pjesën veriore dhe “respektimin e ligjit ndërkombëtar” kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës.

Gjatë adresimit të tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, derisa ka folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së dhe duke iu referuar takimit të 14 shtatorit në kuadër të nivelit të lartë me kryeministrin kosovar Albin Kurti në Bruksel, ai ka pandehur se “diskutimi me Kurtin është monolog e jo dialog”.

“Vendi im do të vazhdojë të luftojë për dialogun dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për Kosovën, banorët e së cilës ne i respektojmë njësoj, pa dallim kombësie. Serbia dhe të gjitha institucionet po punojnë me kapacitet të plotë për të ruajtur dialogun me Kosovën nën patronazhin e BE-së. Kjo është detyra jonë”, ka thënë Vuçiçi nga foltorja e OKB-së.

Qeveria e Kosovës për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e BE-së përgjegjësinë ia ka faturuar të gjithën diplomatit sllovak, i cili, sipas autoriteteve kosovare, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pocizionimin e tij në favor të Serbisë e kundër Kosovës.

BE-ja megjithatë i ka konsideruar “akuza të pabaza” pretendimet e autoriteteve kosovare për njënashmërinë e Lajçakut, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka bërë me dije se pavarësisht këtyre “akuzave të pabaza”, terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” vazhdon të mbetet Brukseli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore