Kosova

Vuçiç i del në mbrojtje Radojiçiç-it: Urdhërarresti i INTERPOL-it është lëshuar me kërkesë të Kosovës


Aleksandër Vuçiç dhe Milan Radoijçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur për urdhërarrestin e lëshuar nga organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, për kryekriminelin Milan Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Mjaft e çuditshme. Urdhri i INTERPOL-it është lëshuar me kërkesë të Kosovës së pavarur”, tha Vuçiç gjatë një interviste për “TV Prva”.

Vuçiç është pyetur se a do ta arrestojë Radojiçiçin, meqë ky i fundit e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist.

“Autoritetet tona shtetërore po bëjnë punën e tyre, po bëjnë një hetim dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat”, theksoi presidenti serb.

Duke folur për Radoiçiçin, ai ka thënë se opozita serbe nuk e quajnë më ish-nënkryetar të Listës Serbe, por “aleat të Vuçiçit”.

Ai ka folur edhe për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

“Kur ta di se cila do të jetë zgjidhja, do ta informojmë opinionin. Nuk e dimë tani. Borrelli u trondit kur Kurti i tha se kishte dhënë një moratorium tremujor dhe ai po gënjen”, shtoi kreu i shtetit serb.

Ndërsa për shkak të rezolutës së Parlamentit Evropian për zgjedhjet në Serbi, Vuçiç ka pretenduar se BE-ja brenda një dite humbi 10 për qind të mbështetjes në Serbi, e cila “nga 50 ra në 40 për qind”.

Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Nga ana tjetër, Serbia, jo që nuk është distancuar nga ky sulm terrorist, por edhe ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore