Kosova

Vuçiç thotë se opozita e akuzon se është “djali i Fahri Musliu” – gazetari kosovar: S’merrem me shpifje


Aleksandër Vuçiç dhe Fahri Musliu

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të dielën 29 tetorit gjatë një interviste në Tv Prva teksa është ankuar për akuzuat e partive opozitare ndaj tij, ka përmendur edhe gazetarin dhe publicistin Fahri Musliu nga Kosova që kishte punuar për shumë vite në Beograd, duke thënë se akuzohet se “Musliu është babai i tij”.

“Më sulmojnë se kam buzë të shëmtuara, nuk i kam bërë asgjë buzëve, fajin e ka nëna ime që më ka lindur kështu. Është çështje gjenetike. Më akuzojnë se babai im është Fahri Musliu. Me këtë rast u them se babai im quhet Angjelko Vuçiç, e jo Fahri Musliu”, tha Vuçiç.

Ndërsa ish-korrespodenti i Radio Televizionit të Kosovës, Fahri Musli, tha për medium serb Danas se “nuk merret me shpifje”.

“Lërini serbët dhe shqiptarët të argëtohen me budallallëqe, pasi e kanë në gjak të merren me shpifje dhe jetë të tjerëve”, potencoi Musliu.

Siç shton ai, “është e trishtueshme kur politikanët dhe gazetarët merren me trillime dhe shpifje për hir të ndonjë interesi dhe pafuqie personale, pa menduar se po u shkaktojnë fyerje dhe dhimbje mendore njerëzve të tjerë që përmenden”.

Edhe vitin e kaluar Musliu për emisionin “FAKTE me Adnan Merovcin” pati folur rreth të thënave mbi atësinë e tij ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, duke potencuar se nuk e njeh këtë të fundit fare.

“Nuk e njoh Aleksandër Vuçiçin. Nëna e tij ishte një kolege e imja, por nuk kishim asgjë më shumë se fakti që punonim bashkë dhe ishim kolegë”, kishte theksuar ai.

“Tash dikush thotë, keni shumë ngjashmëri, unë i them po de po ngjashmëri, por çka të bëj unë se fëmijët e mi nuk më ngjasojnë mua, atëherë të kujt janë ata? A e dini ju se në botë shtatë njerëz janë klone?”, kishte pyetur Musliu.

Ndryshe, pos RTK-së dhe Rilindjes, Musliu ka punuar si korrespodent edhe i Zërit të Amerikës e BBC-së dhe ka shkruar artikuj edhe për disa media serbe.

Ai po ashtu ka botuar disa dokumentar në gjuhën shqipe dhe serbe, derisa pas pensionimit është kthyer për të jetuar në Prizren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore