Kosova

Vuçiç takon Sarrazin-in, flasin për Asociacionin


Aleksander Vucic dhe Manuel Sarrazin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar të premten me të Dërguarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin ka biseduar, ndër të tjera, për formimin e Asociacionit të Komunave Shumicë Serbe.

Lajmin e ka bërë të ditur Vuçiç, përmes një postimi në Facebook, ku edhe ka bërë të ditur temat e tjera që ka biseduar me diplomatin gjerman.

“Një tjetër bisedë e hapur dhe e drejtpërdrejtë me Manuel Sarrazin për situatën në rajon, marrëveshjet e paplotësuara nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, në radhë të parë ato që kanë të bëjnë me sigurinë e serbëve në Kosovë dhe formimin e Asociacionit, vazhdimi i rrugës evropiane të Serbisë, angazhimin e Gjermanisë në proceset rajonale dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”, ka shkruar Vuçiç.

Ai ka theksuar se Gjermania dhe bashkësia ndërkombëtare në Serbi “kanë një partner të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit dhe prosperitetit rajonal, por se mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioriteti ynë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore