Vuçiç takon O’Brien, diskutojnë për vazhdimin e dialogut në Bruksel

Aleksandër Vuçiç dhe James O'Brien

Dreni Himbeqa
11.11.2023 8:12
Loading Icons...

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të premten natën vonë, ka njoftuar se në margjinat e Forumit të Paqes në Parisë të Francës, ka takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Vuçiç, ka theksuar se në takim me top-diplomatin amerikan, përveç tjerash është diskutuar edhe çështja e Kosovës gjegjësisht procesi i dialogut.

“Patë një bisedë të dobishme me O’Brien për të gjitha çështjet e rëndësishme dypalëshe, marrëdhëniet rajonale dhe zhvillimet globale”, shkroi Vuçiç fillimisht.

“Folëm edhe për vazhdimin e dialogut në Bruksel, ndërsa Serbia ka theksuar edhe një herë se po lufton për ruajtjen e jetës së serbëve në Kosovë dhe se po avokon për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, pa dëmtuar interesat nacionale”, ka shtuar ai.

Emmanuel Macron dhe Aleksandër Vuçiç

Përveç me O’Brien, Vuçiç, të premten, ka njoftuar edhe takimin që ka zhvilluar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

“Një takim i rëndësishëm dhe kuptimplotë me mikun tim, presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin diskutova marrëdhëniet dypalëshe, rrugën evropiane të Serbisë”, shkroi Vuçiç në Facebook.

Vuçiç, ashtu si me diplomatin amerikan edhe me presidentin e francez ka diskutuar mbi mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Diskutuam edhe vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, tema ekonomike dhe të tjera të rëndësishme rajonale dhe globale”.

Të fundit

Aktuale