Vuçiç takon ambasadorin rus: Çdo njohje e pavarësisë së Kosovës është e papranueshme për Serbinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar këtë të enjte me ambasadorin e Federatës Ruse në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko, me të cilin ka biseduar për diskutimet që i ka pasur në Bruksel me liderët evropianë dhe për situatën në Kosovë.
Vuçiç, në takimin me ambasadorin rus, ka theksuar se “çdo njohje e pavarësisë së Kosovës është e papranueshme për Serbinë”.
Siç thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit serb, Vuçiç ka potencuar se shteti që ai përfaqëson “mbetet i përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, teksa ka akuzuar Prishtinën zyrtare kinse se po “vazhdojnë persekutimin e përditshëm të popullatës serbe, veçanërisht në Veri të Kosovës, që çon në spastrim etnik të popullit serb”.
Kreu i Serbisë ka ripërsëritur se çdo njohje e pavarësisë së Kosovës “nuk është e pranueshme për Serbinë”, pasi që, siç pretendon ai, “ajo është e vendosur fort në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe ruajtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore”.
Vuçiç dhe Boçan-Harçenko kanë theksuar se është “thelbësore” që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Vuçiç shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Rusia i jep integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë në Kombet e Bashkuara dhe forume të tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Siç pohohet aty, bashkëbiseduesit konstatuan se “marrëdhëniet serbo-ruse po zhvillohen me sukses, me shpresën se bashkëpunimi gjithëpërfshirës do të vazhdojë”.
Ky takim i Vuçiç-it me ambasadorin rus në Serbi vjen një ditë pasi që presidenti serb i shpalli zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Data që ai e ka caktuar është 17 dhjetor.
Përveç se ato parlamentare, ai ka shpallur zgjedhje edhe në kryeqytetin serb, Beograd, dhe në 64 komuna të tjera.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Diplomacia e Kosovës në Amerikën Latine përballë përplasjes me Perëndimin
-
Gazetarja serbe: Vuçiç s’e thotë të vërtetën – Kosova është shtet i pavarur
-
Kurti për doganierin e EULEX-it të vrarë në Veri: U qëllua me gjakftohtësi
-
“Përndjekje ndaj simbolit tonë kombëtar”, Mustafi dënohet nga Serbia për ngritjen e flamurit shqiptar