Lajme

Vuçiç takohet me Scholz-in: E ftova ta vizitojë Serbinë për të diskutuar çështjet me rëndësi mes dy vendeve


Aleksander Vucic dhe Olaf Scholz

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, me rastin e 50 vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara (OKB), të cilin e ka ftuar që ta vizitojë Serbinë për të diskutuar në detaje çështjet me rëndësi.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiç takimin me Scholz-in e ka përshkruar si të “përzemërt”.

“Shfrytëzuam rastin për të shkëmbyer mendime për situatën aktuale gjeopolitike, rolin dhe rëndësinë e OKB-së në botën e sotme, por edhe kontributin që ne si vende anëtare mund të japim në zgjidhjen e sfidave ekzistuese globale”, shkroi.

Kreu i Serbisë theksoi se me kancelarin gjerman ranë dakord se sesioni i 78-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një “mundësi e shkëlqyer për liderët botërorë që të takohen dhe të diskutojnë hapur problemet reale me të cilat përballet bota”.

“Kam përsëritur ftesën time drejtuar kancelarit Scholz për të vizituar Serbinë, në mënyrë që të diskutojmë në detaje të gjitha çështjet me rëndësi për përmirësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, pohoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Atje, ai do të mbajë edhe një fjalim më 21 shtator.

Ky takim i Vuçiç-it me kancelarin gjerman vjen pak ditë pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore