Lajme

Vuçiç: S’ka anëtarësim në BE pa e njohur Kosovën


Aleksandar Vuçiç - President i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, në Beograd, ka thënë se si kusht për anëtarësim të shtetit të tij në Bashkimin Evropian është njohja e Kosovës si shtet i pavarur.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Sipas Vuçiç-it, populli serb e kanë të qartë se pa zgjidhje të “çështjes së Kosovës”, Serbia nuk bëhet dot anëtare e BE-së.

“Nëse pyetja është se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të hyjmë në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, atëherë absolutisht është e qartë kjo”, tha Vuçiç.

Në anën tjetër, Merkel, ka kërkuar një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para zgjidhjes së problemeve të tjera. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet. Por unë jam për një rrugë ku të gjitha çështjet e tjera zgjidhen së pari. Shpresoj se do të kemi përparim të ri në procesin rreth Kosovës”, theksoi Merkel.

Pos, në Beograd, të martën e 14 shtatorit, Merkel, vizitë do të zhvillojë edhe në Tiranë, , ndërsa do të takoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Bashkëbisedimi Merkel-Rama do të pasohet edhe me një takim në mes të kancelares gjermane dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tiranë.

Ndryshe, kjo vizitë e Merkel-it do të jetë e fundit si kancelare jashtë shtetit. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Iniciativa e nisur nga Merkel dhe e pagëzuar si “Procesi i Berlinit” ka qenë ndërmarrja dhe suksesi më i madh i kancelares, e cila tashmë po afron dy dekada në pushtet.

Burime të Albanian Post nga Berlini kanë bërë me dije se takimi i Tiranës do të jetë edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtytje partisë së saj, Unionit Kristian-Demokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator.

Veç kësaj, burimet thonë se është zgjedhur Tirana, si notë falënderuese e Merkel-it për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, si lideri më aktiv dhe influencues në shtyrjen përpara të synimeve të Procesit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore