Lajme

Vuçiç: Serbia s’ka problem me rrymë, jam marrë me këtë problem para 6 muajsh


Aleksander Vucic gjate intervistes për televizionin serb Prva

Në kohën kur Evropa po ballafaqohet me një krizë energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit, ndalimit të prodhimit të energjisë përmes qymyrit dhe prodhimit të pakët të energjisë përmes formave alternative si pasojë e kushteve atmosferike, presidenti serb, Aleksandr Vuçiç, thotë se Serbia nuk ka as nuk do të ketë telashe për furnizim.

Madje, sipas Vuçiç, probleme nuk do të ketë as në aspekte të tjera, siç është ngrohja, gjatë këtij dimri.

“Serbia nuk do të ketë probleme me elektricitetin dhe furnizimin me gaz. Nuk do të ketë probleme as me ngrohtoren”, ka deklaruar Vuçiç, në një intervistë për televizionin serb Prva.

Ai meritat për këtë stabilitet energjetik në një kohë krize, ia ka lënë vetës, duke pohuar se “unë jam marrë në një mënyrë më serioze me këtë çështje”.

“Me këtë problem jam marrë dhe e kam ngritur alarmin para gashtë muajsh”, shtoi ai.

Me gjithë stabilitetin dhe furnizimin e bollshëm aktualisht, Vuçiç ka deklaruar se këtë të shtunë do ta ketë një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe do t’i kërkojë atij sasi shtesë të gazit.

Përkundër çmimeve të larta aktualisht, ai u ka thënë qytetarëve që Serbia i ka paratë tashmë për të blerë sasi të reja gazi nga Rusia dhe blerja do të bëhet nga muaji i ardhshëm.

Ndryshe nga Serbia, Ballkani në përgjithësi e ka përjetuar rëndë krizën me energji, në veçanti Kosova.

Tashmë kanë filluar reduktimet dhe ka qytete e lagje të Kosovës ku reduktimet kanë shkuar deri në 20 me 4 orë në favor të territ.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ankuar se faj kanë qeveritë e kaluara që nuk e kanë menaxhuar këtë sektor si duhet.

Gjithashtu, pajisjet e vjetra me të cilat prodhon rrymë Korporata Energjetike e Kosovës, janë problem në vete, tha Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Kosova i ka dy termoelektrana. Njëra, Kosova A është e vjetër 60 vjet, tjetra, Kosova B është 40 vjet. Por, teknologjia brenda tyre është edhe më shumë se kaq, sepse vjetërsinë që e përmenda është vetëm vjetërsi e ndërtesave, ndërkaq stabilimentet aty janë edhe së paku edhe një dekadë më të vjetër se kaq. Është situatë me pajisje, teknologji dhe rrjet të amortizuar dhe gjatë këtyre dy dekadave të pasluftës kemi pasur përgjithësisht projekte sporadike e të dështuara, pa një strategji të mirëfilltë”, deklaroi ai.

Megjithatë, “strategji e mirëfilltë” nuk është prezantuar as nga qeveria aktuale.

Kryesisht janë dhënë disa manualë për të edukuar qytetarët se si do të mund të kursenin energji më shumë, më mënyrë që të mos e rëndojnë sistemin.

Kjo situatë e mungesës së vazhdueshme të energjisë, ka bërë që të organizohet një protestë e cila është paraparë të mbahet të hënën, me 27 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore