Kosova

Vuçiç: Pres presion të fortë rreth Kosovës, veçanërisht para zgjedhjeve në Rusi


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuiçiç, ka thënë se pret presion “gjithnjë e më intensiv” për Kosovën dhe Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – veçanërisht para zgjedhjeve në Federatën Ruse, të cilat pritet të mbahen më 17 mars.

Në një intervistë për median e afërt me pushtetin në Serbi “Happy”, Vuçiç theksoi se zgjedhjet në Tajvan dhe për Parlamentin Evropian do të pasojnë në maj ose qershor, dhe më pas ato më të “rëndësishme” në vitin e ardhshëm – ato amerikane.

“E gjithë bota po e pret atë lojë, duke pritur me letra të ndara dhe ne duhet të mbijetojmë politikisht dhe të përparojmë ekonomikisht”, pohoi Vuçiç, derisa shtoi se “për këtë duhen njerëz me përvojë dhe guxim në pushtet”.

Sipas tij, fushata për Parlamentin Evropian “tashmë ka filluar” dhe se, siç pretendoi ai, “skifterët kundër Serbisë, do të jenë edhe më të zhurmshëm”, dhe për këtë ai përmendi raportuesen e PE-së për Kosovën, Viola von Cramon dhe eurodeputetin slloven, Klemen Groshelj, të cilët janë caktuar që të udhëheqin misionin vëzhgues të PE-së në zgjedhjet në Serbi, që pritet të mbahen më 17 dhjetor.

Në Serbi, aktualisht është duke u zhvilluar fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen më 17 dhjetor.

Një pjesë e partive atje, posaçërisht Partia Progresive Serbe “SNS”, e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, po përdorin Kosovën, në mënyrë që të përfitojnë nga votat e nacionalistëve serbë.

Ndërsa, këto komente, Vuçiç i ka bërë në një kohë kur bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara në kuadër të dialogut.

Ndërkombëtarët – ndër të tjera – po kërkojnë nga Kosova themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa nga Serbia njohjen de facto të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore