Lajme

Vuçiç pas takimit me Ministrin francez të Mbrojtjes: Në kohë sfidash të mëdha bëjmë gjithçka për të ruajtur vendin tonë


Aleksander Vucic dhe Bastien Lecornu

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se në kohë sfidash “ne bëjmë gjithçka për të ruajtur vendin tonë dhe kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të investojmë dhe forcojmë ushtrinë serbe dhe industrinë tonë ushtarake”.

Këto komente, Vuçiç i ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Instagram, pas takimit që ka pasur me Ministrin francez të Mbrojtjes, Bastien Lecornu, në Paris, ku ka theksuar se bashkëpunimi me Francën në këtë çështje ka një rëndësi të “paçmueshme”.

“Një bisedë e mirë dhe kuptimplotë me ministrin Lecornu për bashkëpunimin midis Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Francës, industrive tona të përkushtuara, shkëmbimit të përvojave dhe teknologjive, si dhe prokurimin e armëve moderne dhe mjeteve për qëllime mbrojtëse”, ka shkruar Vuçiç.

Në Paris, kreu i Serbisë është takuar edhe me Presidentin e Francës, Emannuel Macron.

Ai konsideroi që qëndrimi i Macron-it se Kosova dhe Serbia “kanë bërë diçka” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nuk është plotësisht i vërtetë, sepse, sipas tij, “njëra palë nuk ka bërë asgjë”.

Vuçiç përmendi çështjen e ndalimit të dinarit serb në territorin e Kosovës për pagesa dhe vonesën në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Nga ana tjetër, Macron, gjatë një konference për media pas takimit me presidentin serb, tha se do të sigurohet që Kosova dhe Serbia të përmbushin çdo pikë të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).

“Procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një premtim dhe zotim për të stabilitetin e rajonit dhe të gjithë kontinentit. Franca do të vazhdojë të mbështesë rolin ndërmjetësues të Bashkimit Evropian (BE), ndërsa dua të përshëndes hapat e të dyja palëve, por tani duhet të shkojnë edhe më tej”, deklaroi presidenti francez.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator, të vihen para drejtësisë, ndërsa nga Kosova kërkoi që të respektojë të gjitha obligimet që burojnë nga dialogu, por edhe të sigurojë legjitimitet të plotë demokratik në katër komunat Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Për mua është e nevojshme që përgjegjësit për sulmin në Banjë vjeshtën e kaluar të dalin para drejtësisë dhe të japin përgjegjësi për veprimet e tyre. Duhet të bëhet gjithçka që të mos ndodhë asnjëherë një dramë e tillë. Po ashtu dua që Kosova të respektojë zotimet dhe që zgjedhjet në komunat me shumicë serbe të kenë legjitimitet të plotë demokratik”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore