Vuçiç paralajmëron “masa serioze në 72 orët e ardhshme” pas takimit me Lajçakun
Aleksandër Vuçiç
Armat Matoshi
10.09.2024 12:55Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi “masa serioze” së shpejti, pas takimit që zhvilloi të martën me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili qëndroi në Beograd pas vizitës së realizuar në Prishtinë javën e kaluar.
“Ne do t’ju drejtohemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm për dialog, por Serbia nuk do të lejojë persekutimin dhe pogromin e popullit serb”, shkroi presidenti serb në “Facebook” menjëherë pas takimit me diplomatin sllovak.
Presidenti i Serbisë njoftoi se do t’i adresohet popullit serb për kërkesat e Serbisë pas “sulmeve brutale mbi popullin serb” në pjesën veriore të Kosovës, derisa akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se ai “dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb” në Kosovë.
“Do të kemi shumë takime të rëndësishme, duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, duhet të kërkojmë aleatë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur… sepse tani është plotësisht e qartë se Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb dhe mendoj se kjo nuk është e qartë vetëm për ne, por edhe për të gjithë të tjerët”, shtoi ndër të tjera presidenti serb.
Megjithatë, nuk është ofruar asnjë provë deri më tash, as nga zyrtarët serbë, madje as nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe misionet diplomatike në Kosovë, rreth pretendimeve të Serbisë për “pogromet, dhunën sistematike apo spastrimin etnik” ndaj komunitetit serb.
Një cikël i ri në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve pritet të zhvillohet së shpejti. Kjo është edhe arsyeja e vizitës së Lajçakut fillimit në Prishtinë, pastaj në Beograd. Një pajtueshmëri është arritur për rrethin e ri të dialogut, por nuk janë dhënë detaje se kur do të zhvillohen negociatat politiko-diplomatike në Bruksel.
Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk prodhuan rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.