Lajme

Vuçiç para takimit me Kurtin: Shqiptarët dhe serbët duhet të jetojnë së bashku, t’i lëmë anash hasmëritë


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për Euronews, ka deklaruar se gjithçka që është nënshkruar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet, ndërsa shtoi se shqiptarët dhe serbët duhet t’i lënë prapa hasmëritë mes vete.

Ai sërish ka përmendur Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke thënë se përgjatë dhjetë viteve të fundit janë nënshkruar katër marrëveshje nën patronatin e BE-së për këtë mekanizëm – plani i zbatimit, parimet, menaxhmenti dhe Marrëveshja e Parë.

“Ne tashmë kemi nënshkruar gjithçka dhe natyrisht është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe duhet të zbatohet. Dhe ky nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku të jetojmë shumë më mirë dhe të respektojmë njëri-tjetrin, pa hasmëri”.

“Nuk kam në plan të flas për fajin e askujt, nuk ka rëndësi nëse do të ndodhë për tre muaj apo tre vjet, por nëse ia dalim, do të jetë një sukses historik”, shtoi ndër të tjera Vuçiç për programin e Euronews në gjuhën serbe.

Kur është pyetur nëse Serbia është e gatshme t’i bëjë disa lëshime, pra që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ai tha se pala kosovare “tashmë e ka filluar atë procedurë në Këshillin e Evropës, pa pyetur Serbinë dhe se nuk u duhet Serbia për këtë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kjo do të thotë se pala serbe nuk do të kundërshtojë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, gjegjësisht për mundësinë që Serbia të thotë “po” edhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ai tha: “Në disa organizata po. Nuk po flas për Këshillin e Evropës, ata tashmë e kanë nisur këtë pa ne”.

“Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Sigurisht që të dyja palët kanë vijat e tyre të kuqe dhe nuk mund ta mohoj këtë, por ne, besoj se të dyja palët, duhet të bëjmë shumë për të normalizuar situatën mes kombeve tona, popujve tanë”.

“Besoj se është në interes të të dyja palëve të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Duhet të punojmë me shumë zell për këtë, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme”, nënvizoi Vuçiç. 

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të përfaqësuesve evropiano-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Emisari Speical i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë ditëve të fundit takoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Ndërkaq, për këtë arsye edhe emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd gjatë kësaj jave për të mbështetur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore