Vuçiç: Nga Kurti do të dëgjoj vetëm britma, s’pres asgjë nga takimi në Bruksel

SHFLETO

Aleksandër Vuçiç

 

Armat Matoshi
26.06.2024 14:38
Loading Icons...

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke folur për gazetarë para takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pretendoi se nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të dëgjojë vetëm britma, derisa komentoi edhe punën e deritanishme të zyrtarëve evropianë – Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak – të cilët janë në fund të mandatit.

“Unë pres që Kurti të dramatizojë dhe të bërtasë, ndërsa unë i them të qetësohet. Pastaj ai do të dalë dhe do të thotë se çfarë ka bërë ‘Putini i vogël’, asgjë e re. Ne do të luftojmë për interesat e popullit tonë. A pres konkluzione të mëdha? Jo, nuk pres”, deklaroi Vuçiçi të mërkurën. “Sa i përket Borrellit dhe Lajçakut, do t’i dëgjoj me vëmendje, nuk kam asgjë kundër tyre”.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Emisari Special për dialogun Kosovë-Serbi, do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët nga ora 16:30, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh, që pritet të nisë në orën 18:00. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur akoma t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Për këtë arsye, por edhe për shkak të potencialit shpërthyes të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, pas më shumë se 9 muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohen sot në Bruksel të Belgjikës për t’i vazhduar negociatat për kompromis nën ndërmjetësimin e diplomatëve të lartë evropianë.