Kosova

Vuçiç: Me rezolutën 1244 do të duhej të kishim 1 mijë trupa në Kosovë


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ka pretenduar se Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po impelemntohet pjesërisht, meqë Perëndimi po e zbaton vetëm pjesën që u konvenon atyre.

“Atyre u pëlqen që në rezolutën 1244 mund të dërgojnë trupa të NATO-s në Kosovë, por nuk u pëlqen që Serbia të dërgojë deri në një mijë ushtarë dhe policë të saj”, ka pretenduar ai, transmeton Radio Televizioni i Serbisë, RTS.

Kosova të mërkurën e 12 qershorit shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s (KFOR-i) hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Rezoluta 1244 vendosi në Kosovë administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50 mijë trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja (KFOR-in).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore