Lajme

Vuçiç me Michel diskuton për situatën në Kosovë


Ilustrim: Charles Michel dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se të martën ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel, ku një ndër temat e diskutuara ka qenë edhe situata në Kosovë.

Biseda sipas Vuçiç ka qenë e mirë dhe e rëndësishme ndërsa ka theksuar se një ndër temat e diskutuara ishte edhe Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, plan ky i cili sipas Vuçiç “duhet të forcojë dhe të afrojë ekonomitë dhe shoqëritë”.

“Diskutova edhe për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së si dhe perspektivat për përshpejtimin e rrugës sonë evropiane”, ka shkruar Vuçiç në platformën sociale, Facebook.

“Përsërita përkushtimin e Serbisë për vazhdimin e procesit të reformave dhe integrimeve evropiane dhe shpreha pritjen që në muajt e ardhshëm do të jemi në gjendje të ndërmarrim hapa të rinj në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”, ka shtuar ai.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe Michel.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Michel ka bërë të ditur se me Vuçiç ka diskutuar për rrugën përpara të Serbisë në BE.

“Momenti i ri në procesin e zgjerimit të BE-së ofron një mundësi për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor që të përparojnë, ndërsa Plani i Rritjes do të përshpejtojë integrimin. Koha për të vepruar është tani. E ardhmja e rajonit është në BE”, ka shkruar shkurtimisht ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore