Kosova

Vuçiç mbron thirrjet luftënxitëse të tifozëve të “Crvena Zvezda”: Është mesazhi i një pjese të popullit


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke bere tifo per ekipin e "Yllit te Kuq (Crvena Zvezda)".

Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk i ka pëlqyer krahasimi që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri në mes të koreografisë nacionaliste dhe luftënxitëse të tifozëve të klubit futbollistik serb “Ylli i Kuq (Crvena Zvezda)” të shfaqur të mërkurën në Beograd, me katalizatorin e luftërave në ish-Jugosllavi para më shumë se tridhjetë vjetëve, më saktësisht në ndeshjen e 13 majit të vitit 1990 në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit midis klubit futbollistik “Ylli i Kuq” i Serbisë dhe “Dinamo Zagreb” i Kroacisë.

Vuçiç në një intervistë për median serbe “Tv Prada”, tha se ai që flet për këtë “po tenton të provokojë konflikte luftarake”, duke iu referuar kryeministrit Kurti.

“Konfliktet luftarake tentohet të provokohen nga ai që flet për të, jo dikush tjetër, dhe ai thjesht e injoron faktin që ne normalisht e respektojmë, sepse ne e kuptojmë që ata e perceptojnë Kosovën si shtet të pavarur, por harrojnë Kushtetutën e Serbinë dhe harroni se si qytetarët e Serbisë e perceptojnë Kosovën si pjesë e Serbisë. Është kaq e pakuptimtë sa nuk kam fjalë”, pretendoi ai.

Nuk shkoj në ndeshje, theksoi Vuçiç, duke tentuar që ta arsyetojë pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e së mërkurën me prezencën e ambasadorit italian në Luka Gori.

Kreu i Serbisë nuk u distancua nga koreografia nacionaliste e luftënxitëse e tifozëve të “Yllit të Kuq”, të njohur si “Delije”, të cilët kishin shkruar “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

“Serbët mendojnë se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht se çfarë mendon Kurti për këtë”, pohoi Vuçiç, duke mbrojtur kështu mesazhet nacionaliste e luftënxitëse të tifozëve të klubit serb.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Twitter” me 27 korrik, komentoi koreografinë nacionaliste dhe luftënxitëse të tifozëve të klubit futbollistik serb “Ylli i Kuq (Crvena Zvezda)” të shfaqur të mërkurën në Beograd, me katalizatorin e luftërave në ish-Jugosllavi para më shumë se tridhjetë vjetëve.

Kurti ka thënë se “thirrjet për dhunë janë të pandërprera” që prej 13 majit të vitit 1990 – atëherë kur tifozët serbë të “Yllit të Kuq”, nën drejtimin e kriminelit të paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe udhëheqësit paraushtarak, Zheljko “Arkan” Raznatoviç, shkaktuan trazira në Kroaci.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, theksoi Kurti.

Ndërsa, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrullah Çeku, ka kërkuar nga organizatat ndërkombëtare të dënojnë thirrjen dhe kërcënimet për luftë me Kosovën nga Stadiumi i ekipit serb të futbollit “Ylli i kuq”.

Kjo është “mobilizim i tifozërisë për mesazhe lufte”, kishte shkruar Çeku në llogarinë e tij në Facebook, duke iu referuar mesazhit që grupi i tifozerisë “Delije” kishte shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Ilustrim

“Tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë”, thotë ministri duke shtuar se “Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse”.

Prandaj, sipas Çekut, “kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore