Lajme

Vuçiç: Kurti urren prezencën e OKB-së, ai është marksist – anarkist


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për mediumin “The Pavlovic Today” pas seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), konsderoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, urren precencën e misionit të OKB-së në Kosovë dhe insiston vetëm në prezencën e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR).

Duke komentuar deklaratën e Përfaqësueses Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefes së misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, në seancën e fundit, ku qortoi Kosovën duke thënë se veprimet e fundit në pjesën veriore të vendit, nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve, presidenti serb vlerësoi se kryeministri Kurti urren OKB-në.

“Deklarata e  Ziadeh ishte relativisht e ashpër, por e vërtetë. Ajo është shumë e shqetësuar për situatën në Kosovë. Ajo nuk mund ta fshihte. Ajo nuk donte ta fshihte. Dhe sigurisht që kjo nuk i pëlqeu Kurtit. Ai nuk donte t’i referohej fare asaj sepse Kurti e urren praninë e OKB-së në Kosovë. Ai në fakt e urren OKB-në si institucion… si organizatë”, pretendoi Vuçiç.

“Ai insistonte vetëm në NATO, NATO, NATO dhe asgjë përpos NATO-s, duke u përpjekur t’i mashtrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) përsëri. Por unë besoj se SHBA-të nuk do ta gëlltisin këtë herë dhe do të vazhdojnë presionin e tyre të justifikuar ndaj tij për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në terren”, shtoi ndër të tjera presidenti serb.

Në hijen e papërgjegjshme të retorikës, presidenti serb krahasoi kryeministrin Kurti me ish-udhëheqësin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, duke propaganduar se politika e numrit një të Qeverisë së Kosovës ideologjikisht i përket viteve ’40, ndërsa qëllimi përfundimtar i së cilës është “dëbimi” i serbëve nga Kosova. Madje, parashikoi zgjedhje në Kosovë.

“Kurti shpreson të fitojë shumë në zgjedhjet që do t’i thërrasë shumë shpejt. Ideologjia e Kurtit është tetëdhjetë vjet e vjetër, si pasardhësi më i mirë i politikës së Enver Hoxhës, një anarkist, marksist, ideologjikisht shumë i fortë kundër Serbisë. Ai do të vazhdojë të ecë kundër popullit serb për t’i dëbuar të gjithë nga Kosova. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”.

Në një përballje të rrallë publike të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dy liderë ballkanikë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, akuzuan njëri-tjetrin për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet ndërshetërore, pas vedimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ndërsa shtetet anëtare shprehën drojën për potencialin destruktiv të veprimeve të papërgjegjshme.

Kosova dhe Serbia përplasen për dinarin në debatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore