Kosova

Vuçiç: Kurti do konflikt të armatosur, ka mbështetje perëndimore


Pas mbylljes së nëntë pikave të Postës së Serbisë në Kosovë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i interesuar për “konflikt të armatosur”.

“Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, ka thënë Vuçiç para gazetarëve.

Ai po ashtu ka pretenduar se me veprimet e fundit është shkelur një marrëveshje e vitit 2015, e arritur në Bruksel, për telekomunikacionin dhe Postën e Serbisë.

“Unë jam shumë i shqetësuar. Nuk do të flas më tutje sepse kam frikë se mund të dëmtojë interesat e Serbisë. Unë personalisht kam folur me Lajçakun, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë”, potencoi ai.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) u shprehën të shqetësuara për mbylljen nga Policia e Kosovës të nëntë degëve të Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” dhe “veprimet e njëanshme” rrezikojnë t’i përshkallëzojnë tensionet ekzistuese ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Autoritetet kosovare kanë potencuar se çështja e operimit të Postës së Serbisë në Kosovë është tentuar të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë “në një fazë të mëvonshme”, por për shkak të refuzimit të Serbisë, kjo çështje s’është adresuar asnjëherë.

SHBA-ja dhe BE-ja druhen se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë t’i përshkallëzojnë tensionet në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore