Lajme

Vuçiç-i kërkon “çmilitarizimin” e Kosovës njëjtë si Putin-i që kërkoi “çmilitarizimin” e Ukrainës


Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media më 6 korrik, duke folur për situatën në Veri të Kosovës, ka kërkuar një qasje të ngjashme ndaj Kosovës si Rusia ndaj Ukrainës.

Në një adresim të tij për publikun duke folur për synimet e tij në Kosovë, Vuçiç, ka përdorur konceptin e “çmilitarizimit të Kosovës”, një koncept ky i përdorur dhe i aplikuar edhe nga vetë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në Ukrainë.

Vuçiç, në këtë konferencë për media, publikisht kërkoi organizimin e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku do të elaborohej “çmilitarizimi i të gjitha formacioneve të armatosura në Kosovë”.

“Në këtë takim do të kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara t’i kërkojë KFOR-it të veprojë sipas rezolutës 1244 dhe të kryejë demilitarizimin e të gjitha formacioneve shqiptare në përputhje me të njëjtën rezolutë. Unë personalisht do të marr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, kishte potencuar Vuçiç.

Kjo deklaratë e Vuçiç-it padyshim tregon dëshirën për një qasje të ngjashme me atë të përdorur nga Putin-i në Ukrainë, ku Rusia duke u nisur nga premisa e “çmilitarizimit” të Ukrainës ndërtoi narrativen për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.

Ndryshe kërkesa e presidentit, Vuçiç, që çështja e Kosovës të zgjidhet brenda kornizës ligjore ndërkombëtare të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u mbështet në mënyrë të menjëhershme nga ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko, i cili tha se Rusia pajtohet plotësisht me vlerësimin e Vuçiç-it për “situatën e padurueshme” në Kosovë dhe tha se ka arsye të shumta për ta shqyrtuar situatën në një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me qëllim “de-përshkallëzimin e vërtetë dhe përfundimin e ‘persekutimit’ të serbëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore