Kosova

Vuçiç i ankohet ambasadorit rus: “Serbët në Kosovë po diskriminohen brutalisht”


Aleksandër Vuçiç dhe Aleksandër Bochan – Kharchenko

Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të martë ka takuar edhe ambasadorin e Rusisë në Serbi, Aleksandër Bochan – Kharchenko, me të cilin ka diskutuar për situatën në Veri të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Instagram, Vuçiç, ka bërë të ditur se ka informuar ambasadorin rus për përshkallëzimin e dhunës dhe, sipas tij, “diskriminimit brutal të serbëve në Kosovë”.

“Pavarësisht shkeljes më brutale të të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, Serbia do të punojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, duke kërkuar miratimin dhe zbatimin e menjëhershëm të masave që do të garantonin sigurinë e serbëve në Kosovë, gjë që është parakusht për çdo bisedë të mëtejshme me përfaqësuesit e Kosovës”, ka shkruar Vuçiç pas takimit me Kharçenko.

Ndryshe Vuçiç në takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it deklaroi se paqja në Kosovë mund të ruhet vetëm nëse ka tërheqje urgjente të kryetarëve të sapozgjedhur të katër komunave Veriore të Kosovës si dhe të pjesëtarëve të njësive speciale të Kosovës.

“Diskutova për ngjarjet aktuale në Kosovë me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe theksova se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës çojnë në dhunë kundër komunitetit serb, gjë që na largon nga paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në rajon”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Më 29 maj, në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore