Lajme

“Vuçiç flet me veten” – Prezencë shumë e “vogël” gjatë fjalimit të tij “të madh”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mbajtur një fjalim “mjaft të dukshëm” në Glasgow në samitin global për Ndrshimet Klimatike, ose të paktën ashtu raportuan shumica e mediave në Serbi.

Ndryshe qëndron puna në një regjistrim, të cilin e transmetoi vetë Radio Televizioni i Serbisë, ku në sallë gjatë fjalimit të Vuçiçit ishin vetëm disa persona.

Karriget ishin kryesisht bosh.

Fjalimi i presidentit serb rezononte në ajr, por jo edhe në veshë të ndokujt.

Në Glasgow, në samitin global të klimës, rreth 120 liderë botërorë diskutuan se si të zvogëlohen emetimet e gazrave serrë deri në vitin 2030, në mënyrë që ngrohja globale të mbahet në 1.5 gradë Celsius.

Një nga folësit ishte presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

“Më kanë shkruar një fjalim të mrekullueshëm, por kam disa pyetje të cilave fuqitë e mëdha nuk i kanë dhënë ende përgjigje”, tha Vuçiq. “Si do t’i financojmë të gjitha këto aktivitete?

“Ne kemi dëgjuar histori për triliona dollarë që do të jenë në dispozicion, por cila do të jetë norma e interesit, si do t’i aksesojmë ato fonde,” pyeti Vuçiç.

“Si do t’i qasemi, reduktojmë apo rrisim termocentralet bërthamore? Si do të ndërtojmë burime të rinovueshme të energjisë nëse po forcohen lëvizjet populiste kundër energjisë së erës? Si do t’i trajtojmë çmimet e gazit natyror, i cili është në duart e fuqive të mëdha”, ka theksuar Vuçiç.

Vuçiç ka theksuar se në konferencë ka ardhur me veturë elektrike, por askush nuk flet se si do të zgjidhet çështja e kobaltit, nikelit dhe mbetjeve të tjera nga prodhimi i makinave elektrike.

“Ne e dimë se cilat janë qëllimet, por për disa është një përrallë e madhe dhe duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. Nëse e humbim këtë betejë, nuk do të mbetet asgjë për fëmijët tanë”, ka përfunduar Vuçiq.

Mirëpo, siç tregon edhe videoja e publikuar në faqen e RTS-së, ky fjalim nuk ngjalli shumë interes dhe shumë shpejt fotot e kolltukëve bosh u përhapën në rrjetet sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore