Kosova

“Vuçiç është bërë gati t’i hajë zhabat”


Aleksander Vucic

Duke përdorur një metaforë amerikane, analisti politik serb, Gjorgje Vukadinoviç, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, prej kohësh po i “përgatit zhabat” për t’i ngrënë, si në rastin e Kosovës si në atë të Rusisë.

Pra, sipas tij, Vuçiç edhe do ta pranojë marrëveshjen me Kosovën edhe do t’i vë sanksione Rusisë.

“Vuçiç ka kohë që ka ‘gatuar nga një bretkosë’ si për çështjen e Kosovës ashtu edhe për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, deklaroi ai për Danas.

Në këtë kuptim Vukadinoviç e ka parë edhe një deklaratë të Vuçiç-it në Instagram, e cila u perceptua në Serbi si një parapërgatitje e presidentit serb për t’ia vendosur sanksionet Rusisë, të shumë kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Deklarata e tij e sotme nuk është përjashtim, por vetëm vazhdimësi e një procesi që ka muaj të tërë. Jo vetëm Vuçiç-i, por edhe të gjithë propaganduesit e tij, qofshin ata me origjinë thuajse qytetare dhe thuajse patriotike, shtyjnë vazhdimisht të njëjtin narrativë, pra frazeologji”, pohon analisti serb.

“Ne gjoja pësojmë shumë dëme për shkak të pozicionit tonë për Kosovën dhe sanksioneve kundër Rusisë, dhe sado që të mos na pëlqejë, ne do të duhet t’i përshtatemi atij presioni për hir të ‘të ardhmes së fëmijëve tanë dhe ekonomisë e prosperitetit’”, tha Vukadinoviç.

“Me fjalë të tjera, ai gradualisht po përgatit publikun për një skenar me pranimin e të ashtuquajturës marrëveshje ‘franko-gjermane’ dhe një formë sanksionesh kundër Rusisë, ndërsa në të njëjtën kohë me këto deklarata e të ngjashme po përpiqet të ruajë elektoratin e tij, i cili në thelb është kundër gjithë kësaj politike”.

Shënim: Ta hash zhabën është një metaforë amerikane që nënkupton bërjen e gjërave të vështira, apo marrjen e vendimeve të dhimbshme. Fillimisht u bë e njohur nga një thënie e shkrimtarit Mark Twain, i cili shkruante se “nëse gjëja e parë që e bën në mëngjes është ta hash një zhabë, atëherë lirisht mund ta vazhdosh ditën nën kënaqësinë se asgjë tjetër më të vështirë gjatë ditës nuk do të kesh për të bërë”.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore