Lajme

Vuçiç e Dodik takohen në Beograd, në ish-rezidencën e Millosheviç-it


Aleksander Vucic dhe Milorad Dodik

Mediat boshnjake dhe ato serbe kanë raportuar se ka filluar takimi në mes të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe anëtarit serb të presidencës në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik.

Temat e takimit është njoftuar se do të jenë situata aktuale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Republika Srpska, gjithashtu edhe sanksionet që besohet se Bashkimi Evropian do t’ia vë Dodikut, por që ai i ka cilësuar si “sanksione kundër komunitetit serb në Bosnje”.

Gjithashtu, në takim do të flitet edhe për agravimin e situatës së sigurisë në BeH.

Takimi po zhvillohet në vendin e njohur si “Vila Mir”, në Beograd, vila në të cilën, pas bombardimeve të NATO-s, ishte zhvendosur për të jetuar Slobodan Milosheviç.

Pas takimit është njoftuar se dy politikanët do të kenë një konferencë për media.

Vila “Mir” ne Beograd

Gjatë kësaj të premte mediat në Bosnje kanë shkruar për mundësinë e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Dodik dhe impaktin e madh që do ta kishin ato.

Madje, vlerësohet se sanksionet nga BE do ishin shumë më të fuqishme dhe më domethënëse se ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Profesori boshnjak, Denis Pajiç, nga Universiteti i Mostarit, në një prononcim për gaztën Oslobodjenje, ka thënë se sanksionet e BE-së “do të kishin efekt më të fuqishëm sepse do të përjashtonin Bosnjën nga anëtarësimi në Union dhe integrimi i mëtutjeshëm, do të ngrinin të gjitha pasuritë dhe llogaritë brenda shteteve të BE-së, do të dërgonte mesazh tek ata që e mbështesin akoma Dodikun që të mos e përkrahin më dhe në mënyrë indirekte do të ishte njëfarë mbështetje për institucionet e drejtësisë në vend”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore