Kosova

Vuçiç: Duhet ta njohim Kosovën që serbët atje të marrin pjesë në zgjedhje


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë këtë të premte se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që pritet të mbahen më 17 dhjetor, nuk do të mbahen në Kosovë, për shkak se, siç ka pretenduar ai, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do t’ua mundësojë serbëve të kenë të drejta themelore dhe natyrore”.

“Në komunitetet serbe nuk do të ketë zgjedhje, sepse Kurti nuk dëshiron t’u lejojë serbëve të drejtën natyrore që duhet ta kenë. Perëndimi do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë për të bërë presion ndaj Kurtit dhe do të dalë me një deklaratë. Tashmë kishte një deklaratë nga (zëdhënësi i BE-së) Peter Stano dhe kaq”, ka thënë Vuçiç nga Dubai, ku po merr pjesë në Samitin e Liderëve për Ndryshimet Klimatike, transmetojnë mediat serbe.

Kosova ka kërkuar që për të mbajtur Serbia zgjedhje në territorin e saj, duhet që të bëjë kërkesë zyrtare tek institucionet kosovare.

Por, kjo sipas presidentit serb, është insistim i kryeministrit Kurti ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Duhet ta njohim Kosovën që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dhe të gjithë në Serbi dhe Evropë e dinë këtë. Është mirë që do të reagojnë, por nuk do të marrim asgjë nga ai reagim”, pohoi ai.

Ndryshe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, ka thënë të mërkurën se Unioni rekomandon që të rifillojë praktika për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë brenda vendit në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.

“Me keqardhje konstatojmë se praktika e vendosur e lejimit të serbëve të Kosovës që të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe me lehtësimin e OSBE-së nuk u lejua sërish nga autoritetet e Kosovës. Si rezultat, votuesit serbë do të duhet të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 dhjetorit”.

Nga Stano, është thënë se duhet të lejohen serbët e Kosovës të votojnë për zgjedhjet në Serbi.

“Ky vendim nuk është në përputhje me frymën e Dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja rekomandon rifillimin e praktikës së vendosur për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit, me lehtësimin e OSBE-së”.

Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Sipas Bislimit, tentimi për të organizuar zgjedhje të një shteti tjetër në Kosovë pa një kërkesë paraprak, nuk është në frymë të dialogut.

“Nuk janë planifikuar zgjedhje këtë vit në shtetin tonë. Nëse autoritetet e shteteve tjera preferojnë të organizojnë zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, atëherë duhet që zyrtarisht t’i kërkojnë autoriteteve tona një vendim pozitiv dhe përkrahje”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ai ka sqaruar se përderisa s’ka kërkesë zyrtare direkte nga Serbia, atëherë s’mund të ketë vendim.

“Tentimi për të organizuar zgjedhje pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk i kontribuojnë ndërtimi të besimit. Përderisa nuk ka një kërkesë zyrtare direkte, atëherë nuk mund të ketë vendim. Z. Stano besoj se e di këtë”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore