Lajme

Vuçiç bisedon me Tajanin: Më kërkoi të bëjmë gjithçka për sigurinë e rajonit


Aleksander Vucic dhe Antonio Tajani

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, njëherësh zëvendëskryeministrin italian, Antonio Tajani.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Instagram”, kreu i Serbisë ka thënë se ishte “një bisedë konstruktive me kreun e diplomacisë italiane, Antonio Tajani”, duke shtuar se i njëjti i ka kërkuar që Beogradi të angazhohet për të ruajtur stabilitetin në rajon.

“Ai kërkoi që Serbia të bëjë gjithçka për të ruajtur stabilitetin në rajon dhe theksoi se Italia është gjithmonë e gatshme të mbështesë paqen”, shkoi ai më “Instagram”.

Ndërkaq, Vuçiç bëri me dije se gjatë javës tjetër do të bisedojë përsëri me Tajanin.

“Ne organizuam një bisedë të re telefonike për javën e ardhshme dhe e falënderova për miqësinë e tij, si dhe për interesimin dhe mirëkuptimin që ka Italia, kryeministrja (Giorgia) Meloni dhe ai personalisht për pikëpamjet e Serbisë”, përfundoi ai.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të shtunën, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me ç’rast ka diskutuar për situatën aktuale në Veri të Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç, ka theksuar se biseda me Macron ka qenë e hapur dhe mjaft serioze, të cilit i ka prezantuar “pasojat e zhvillimit të rrezikshëm të situatës në Kosovë”.

Vuçiç, në po këtë bisedë telefonike, siç njofton, ka kërkuar nge presidenti francez një përpjekje shtesë në mënyrë që Kosova “të vihet në vete” dhe të kthehet sa më shpejt në tryezën e dialogut dhe të ndalojë të bëjë të kota të gjitha përpjekjet që synojnë de-eskalimin e situatës në Veri.

“E falënderova presidentin Macron për gatishmërinë e tij për të dëgjuar Beogradin, si dhe për vendosmërinë e tij për të bërë përpjekje shtesë për të zgjidhur situatën jashtëzakonisht komplekse dhe mbi të gjitha të rrezikshme në Kosovë”, ka potencuar Vuçiç.

Presidenti serb, siç pretendon, ka njoftuar Macron gjithashtu për “dhunën tashmë të fshehur e të drejtuar kundër serbëve në Kosovë që po largon nga çdo mundësi për një bisedë të civilizuar dhe një qasje për zgjidhjen e çështjeve të hapura”.

Serbia, sipas tij, mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe paqeruajtjes, edhe pse komuniteti serb në Kosovë, siç pretendon ai, “është i vetmi grup etnik në Evropë që është i ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme”.

Vuçiç kërkon nga Macron-i që ta “kthjellë” Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore