Lajme

Vuçiç anulon “të gjitha vizitat”, thërret seancë të jashtëzakonshme për Kosovën


Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesit e Listës Serbe

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë serbe më 5 nëntor, do të dorëzojë raportin për Kosovën, pas bisedimeve me përfaqësuesit e ‘Listës Serbe’, të cilët deklaruan se do të largohen nga institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Serbisë nesër do të mbajë një seancë ku presidenti Aleksandër Vuçiç do të dorëzojë raportin për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, të cilët paralajmëruan tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet e Prishtinës për shkak të lëvizjeve të fundit të kryeministrit Albin Kurti”, raporton Radio Televizioni i Serbisë.

Gjithashtu, siç pretendon RTS, për shkak të situatës në Kosovë, Vuçiç ka anuluar të gjitha vizitat zyrtare jashtë vendit, por do të zhvillojë takime në Beograd me ambasadorin kinez Chen Bo, e më pas edhe me ambasadorin rus, Aleksandër Bocan Harchenko.

“Vuçiç anuloi të gjitha vizitat jashtë vendit dhe i kërkoi falje presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi për anulimin e pjesëmarrjes së tij në takimin e madh COP 27, i cili është mbajtur në Sharm el-Sheikh që nga 7 nëntori ku do të marrin pjesë të gjithë liderët botërorë, nga presidenti amerikan Joe Biden, presidenti francez Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Mohammed bin Zayed e të tjerë”.

Ndryshe,të shtunën, kur kryetari i ‘Listës Serbe’, Goran Rakiç, do mbajë konferencën për media, do të kuptohet nëse serbët do largohen përfundimisht nga institucionet, si protestë e vendimit të Qeverisë së Kosovës që të qortohen serbët që vozisin vetura me targa ilegale.

Serbët e Kosovës, shumica dërrmuese, nuk duan të heqin dorë nga targat që lëshohen në Serbi. Një pakicë tjetër që ka provuar t’i ndryshojë targat dhe të kalojë në ato të Kosovës, ka parë veturën e djegur të nesërmen, nga strukturat ilegale paramilitare atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore