Lajme

Vuçiç: “Anëtarësimi i Kosovës në KiE është një shpërblim për diskriminimin ndaj serbëve”


Aleksander Vucic dhe Rene Troccaz

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar këtë të premte me të Dërguarin Special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, të cilit i ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është, siç propagandon ai, “një shpërblim për diskriminimin dhe presionin ndaj serbëve”.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Vuçiç, përmes një postimi në platformën Instagram, ku ka theksuar se me diplomatin francez ka vazhduar diskutimet e “mira” dhe të “hapura” që ka pasur në Paris me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

“Biseduam për situatën në rajon, situatën aktuale gjeopolitike dhe të gjitha sfidat me të cilat përballemi në fushën e sigurisë dhe ruajtjes së rendit juridik ndërkombëtar”, shkroi Vuçiç.

“Në mënyrë të veçantë theksova absurditetin e anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, me të cilin Prishtina, e cila vazhdimisht i shpërfill të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, do të shpërblehej praktikisht për politikën e saj të diskriminimit dhe presionit në rritje ndaj popullit serb në Kosovë”, propagandoi.

Ai tha ta ketë falënderuar Francën “për mbështetjen që i jep Serbisë si në rrugëtimin tonë evropian ashtu edhe në procesin e dialogut me Prishtinën, duke përfshirë respektimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura”.

“E përsërita se Serbia është një partner serioz dhe i përgjegjshëm që e mban fjalën dhe i qaset në mënyrë konstruktive zgjidhjes së problemeve të përbashkëta, të cilat i pret nga bashkëbiseduesit”, potencoi ai ndër të tjera.

Ndryshe, mëngjesin e së premtes, Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, ka thënë se Vuçiç, u ka dërguar letra të gjithë liderëve evropianë, përfshirë kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në lidhje me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një intervistë për televizionin e afërt me regjimin në Serbi, “TvHappy”, Mali, duke vazhduar propagandën e shefit të tij, ka pretenduar se Vuçiç “nuk ka qenë kurrë më i shqetësuar për presionin e madh ndaj Serbisë”, sipas tij, “në të gjitha anët”.

“Nuk e kam parë kurrë presidentin më të shqetësuar se këto ditë. Presionet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha, problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha. E kam fjalën për rajonin, Kosovën, sanksionet ruse, Rezoluta për Srebrenicën na kërcënon…”, ka thënë Mali, transmeton media serbe me seli në Kosovë “KosovoOnline”.

“Sot në mëngjes Presidenti u dërgoi letra të gjithë liderëve dhe Scholz-it dhe Macron-it dhe të tjerëve, kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kushdo që e njeh Vuçiç-in e di se dorëzimi nuk është kurrë një opsion dhe se ai gjithmonë fiton. Arsyeja pse ai është i shqetësuar është objektive, sepse presioni nuk ka qenë kurrë më i madh”, pretendoi ai.

Qeveria e Serbisë, të premten e 5 prillit, ka formuar ekipin që do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ekipi në fjalë do të udhëhiqet nga Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë me mandat teknik, Ivica Daçiç.

Zëvendësi i Daçiç-it do të jetë i ashtuquajturi drejtor i “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Detyra e këtij ekipi është ndërmarrja e aktivitete dhe hartimin e planit për pengimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Ekipi u formua një ditë pas kërkesës së presidentit serb Vuçiç.

Nga ana tjetër, Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.

Të mërkurën e 27 marsit, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Nga 36 përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që morën pjesë, 31 votuan për, 4 ishin kundër miratimit të opinionit ndërsa një përfaqësues abstenoi.

Dy përfaqësues të Serbisë votuan kundër Kosovës. Për mos miratimin e opinionit votoi kundër edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Bosnje e Hercegovinës.

Abstenues ishte përfaqësuesi i Greqisë në KiE.

Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare e cila pritet të mblidhet më 18 prill.

Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.

Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.

Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim

Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore