Vuçeviç: Masat që do marrim do synojnë mbrojtjen e serbëve në Kosovë

SHFLETO

Millosh Vuçeviç

 

Dini Fetahu
13.09.2024 10:25
Loading Icons...

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se për Kosovën “na presin ditë të vështira”, derisa ka theksuar se masat e paralajmëruar të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për të premten, “do të synojnë ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e serbëve në Kosovë”.

Vuçeviç ka propaganduar se “arrestimi dhe persekutimi” i serbëve në Kosovë “është përditshmëria e tyre dhe qëllimi përfundimtar i të gjitha veprimeve të Kurtit është spastrimi etnik i serbëve nga ajo zonë”.

“Jam i sigurt se Kurti nuk do të ndalet me agjendën e tij politike, aq më tepër që është në fushatë për zgjedhjet. Ai nuk mund të flasë për ekonominë, përparimin, por vetëm për serbët”, propagandoi ai.

Korrieri i propagandës serbe potencoi se nuk ka asnjë ambasadë, as një institucion në BE, “që të paktën të mos i dënojë me një deklaratë lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, por Kurti gjithsesi vazhdoi me planet e tij”.

“Mjaftojnë deklaratat dhe mesazhet e komunitetit ndërkombëtar drejtuar Prishtinës për të ndalur veprimet e njëanshme, por në të njëjtën kohë po diskutohet nëse masat kufizuese ndaj Albin Kurtit duhet të hiqen. Nuk kam përshtypjen se dikush është gati të reagojë më ashpër kundër Kurtit, përveçse në letër. Nuk ka masa thelbësore”, pretendon ai.

Kur është fjala për vazhdimin e dialogut, Vuçeviç potencon se Serbia “gjithmonë do ta ruajë paqen dhe stabilitetin, por gjërat thelbësore që u arritën në dialogun ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë janë bërë të pakuptimta nga veprimet e bëra nga Prishtina”.

Të enjten, disa media të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke u thirrur në burime jozyrtare kanë pretenduar se ky i fundit po e konsideron si opsion për ta shpallur Kosovën si “territor të okupuar”.

Ditë më parë, Vuçiç paralajmëroi se do t’i prezantojë disa “masa serioze” për “zgjidhjen e krizës” në pjesën Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Sipas mediave të afërta me presidentin serb, njëra ndër “masat serioze” të Vuçiç-it mund të jetë edhe ky “opsion”.

Shpallja e Kosovës si e pushtuar, sipas këtyre pretendimeve të mediave serbe, “përfshin një sërë hapash të tjerë që përfshijnë përgatitjen për kthimin e kësaj pjese të territorit”.