Lajme

Vuçeviç kërkon që të dënohen mediat opozitare serbe: Kanë shkelur heshtjen zgjedhore


Millosh Vuçeviç

Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, i ka dërguar një letër Këshillit Mbikëqyrës për fushatën zgjedhore, në të cilën ka pretenduar se mediat opozitare serbe “Danas”, “N1” dhe “Nova”, kanë shkelur heshtjen zgjedhore, përkatësisht ligjin për zgjedhjen e deputetëve, në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë theksoi se sipas atij ligji, për shkeljen e heshtjes zgjedhore parashikohen gjoba prej 50 mijë deri në 150 mijë dinarë, ndërsa për personat fizikë gjoba prej 10 mijë deri në 40 mijë dinarë.

Vuçeviç pretendon se gazeta “Danas” ka thyer heshtjen zgjedhore me faqet e para të 15 dhe 16 dhjetorit, në të cilat, siç thotë ai, Aleksandër Vuçiç, si bartës i listës së SNS-së është paraqitur me ton negativ.

Gjithashtu, kreu i SNS-së beson se ka pasur shkelje të heshtjes zgjedhore duke publikuar tekste për aktorin Dragan Bjelogrliç në faqen e internetit të “Danas”, si anëtar i ProGlas. Për të njëjtën gjë akuzon edhe faqen e internetit “N1”.

“Publikimi i këtyre artikujve pikërisht në periudhën e heshtjes zgjedhore shkon përtej një mbikëqyrjeje të thjeshtë gazetareske. Ata përfaqësojnë një veprim të qëllimshëm që tejkalon kufijtë e raportimit neutral”, pretendon Vuçeviç.

“Nova” akuzohet se ka thyer heshtjen zgjedhore në faqet e para të 16 dhe 17 dhjetorit, duke ftuar personazhe të njohur për të votuar, pra duke përcjellë deklaratat e aktorit Bojan Dimitrijeviç, historianes Dubravka Stojanoviç dhe redaktorit të Archipelago, Gojko Bozoviç.

Kryetari i SNS-së beson se heshtja zgjedhore është thyer në “TV Nova” në emisionin “Në shtëpinë e Ivan Ivanoviç-it”, ku i ftuar ka qenë aktori Dragan Bjelogrliç.

“Në emision, Bjelogrliç foli gjerësisht për vështirësitë dhe problemet e supozuara me të cilat ballafaqohet shoqëria. Ai me komentet e tij kritikoi SNS-në dhe gjoja ndikimin negativ të partisë në shoqëri”, përfundon Vuçeviç në letrën drejtuar Bordit Mbikëqyrës për fushatën zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore