Vrasja në Pogradec, Rama: Nuk komentoj qëndrimin e drejtësisë, por mirëkuptoj indinjatën për akuzën e Prokurorisë
Brixhilda Xhuraj
14.08.2024 13:47Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale X, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku një 42-vjeçar mbeti i vrarë.
Për ngjarjen u hodhën akuza drejt efektivëve të Policisë së Shtetit dhe zinxhirit shtetëror të trajtimit të situatës.
Rama theksoi se sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë “agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit”.
Kryeministri u shpreh se Policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa Urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën.
Ai shtoi se të gjitha provat e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë.
Për Ramën “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, “të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral”.
“Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes”.
Numri një i Qeverisë u shpreh se mirëkupton plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria.
Ai tha se i bashkohet thirrjes së Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dezinformimin e keqinformimin e qëllimshëm të publikut dhe nxitjen e urrejtjes ndaj institucioneve shtetërore.
Kjo “përmes lojës së turpshme me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore”.
Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien…
— Edi Rama (@ediramaal) August 14, 2024
Çfarë tha Policia e Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat ka deklaruar se vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga nga Pogradeci nuk është tentuar të fshihet.
“Ka vijuar dezinformimi i publikut lidhur me ngjarjen në Pogradec ku si pasojë e konflikti humbi jetën një 42-vjeçar”.
Për Rrumbullakun, aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec “është i pabazë, i bazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm dhe si i tillë është skandaloz”.
“Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë asnjë punonjësit policie s’ka tentuar të fshehë ngjarjen. Ajo është vlerësuar maksimalisht. Nga policia është shkuar menjëherë në vendngjarje, është bërë njoftimi i spitalit, është ngritur grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat dhe janë shoqëruar personat e pranishëm.
Sipas tij, baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht.
“Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformimi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit. Ne e kemi referuar si vrasje me dashje”, tha Rrumbullaku.
Rrumbullaku theksoi se është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve.
Sipas tij, si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.
“Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtarë, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua”.
Drejtori i Policisë tha se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës.
“Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër, nga ajo për të cilën Policia ka kërkuar arrestimin e shtetasve, kjo është një çështje për të cilën as nuk na takon dhe as nuk kemi tagrin ta komentojmë”.
Por, tha Rrumbullaku, të pretendohet se Policia e Shtetit tentoi të fshehë ngjarjen kur ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë bë kohë rekord dhe me motivin vrasjen me dashje është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme.
Çfarë tha Urgjenca?
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në një konferencë për mediat tha se urgjenca shkoi për 7 minuta në vendngjarje.
Ai shtoi se i është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe në ambulancë.
Sipas tij, “e gjitha në total situata është menaxhuar me kod të kuq traumatik për 20 minuta”.