Lajme

Vrasja dhe plagosja në Prizren, gjashtë persona ndalohen për 48 orë


Ilustrim.

Për gjashtë të dyshuarit që kanë marrë pjesë në vrasjen tragjike në Prizren ku një person mbeti i vdekur dhe një tjetër i plagosur me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë në stacionin policor në Prizren.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Gjashtë persona janë në përfundim e sipër të intervistimit të tyre në stacioni policor në Prizren. Me vendim të prokurorit të gjashtë ndalohen për 48 orë në ndalim policor”.

Ndërkaq, bëri të ditur se me hetime është duke vazhduar drejtoria në Prishtinë.

“Për hetime të mëtejme merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë”, ka thënë Bytyqi për AP.

Bytyqi ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.

“Është kryer bastisja e lokalit si dhe shtëpisë së të dyshuarit. Në vendngjarje anë gjetur së paku tri gëzhoja dhe lokali i demoluar. Aktualisht po vazhdon intervistimi i të dyshuarit dhe personave të tjerë, dëshmitarë okularë si dhe pjesëtarë të stafit të lokalit”.

Pronari i lokalit, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra” dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri pas një zënke fizike me disa persona, të cilët kishin ardhur nga Kukësi në Prizren.

Nga rasti njëri nga ta ka mbetur i vdekur, kurse një tjetër është plagosur, policia bëri të ditur se njëri është 31-vjeçar me inicialet V.C, kurse i plagosuri është 27-vjeçar me inicialet R.SH.

“Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovarë”.

“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi i Shqipërisë, është emër i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë.

Hoxha, ka qenë i dënuar 16 herë, ai është i njohur me pseudonimin “Kobra”.

Ai ishte dënuar për lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj e kështu me radhë.

Në vitin 2022, Hoxha e kishte sulmuar një person duke i shkaktuar lëndime trupore. Ai kishte qëndruar në arrati për tri ditë, pastaj ishte dorëzuar vetë në polici.

Rasti kishte ndodhur në një klub nate. Viktima ishte i dehur dhe shkak i përleshjes ishin problemet e mëhershme mes tyre. Aktgjykimet në fjalë janë shpallur gjatë periudhës kohore 2007 – 2021.

Madje, nga Gjykata Themelore në Prizren, bëjnë të ditur se i njëjti ka ende aktive një lëndë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.

Përplasje me armë zjarri në një lokal nate në Prizren, vdes 31-vjeçari nga Kukësi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore