Lajme

Vrasësi serial pas vrasjes së pesë burrave në Kaliforninë qendrore


Gjatë muajve të fundit, një vrasës serial mund t’u ketë zënë pritë veç e veç pesë burrave në Kaliforninë qendrore.

Ai i ka qëlluar ata për vdekje në errësirë dhe policia ka mbetur e habitur se pse ishin në shënjestër viktimat. Të gjitha vrasjet ndodhën brenda një rrezeje prej disa miljesh.

Asnjë nga burrat nuk ishte grabitur apo rrahur përpara vrasjes.

Mendohet se asnjëri prej tyre nuk njihej me tjetrin, sipas oficerit të policisë Joseph Silva. Pasi të shtënat nuk duket se kanë lidhje me bandat apo drogën.

Sakaq, policia e Stockton-it ka njoftuar një shpërblim prej 95 mijë dollarësh për informacionin që çon në një arrestim.

Po ashtu autoritetet kanë publikuar një imazh të një “personi me interes”, të veshur tërësisht me të zeza dhe me një kapuç të zi, i cili shfaqej në video në disa nga skenat e krimit.

Vrasja e fundit ndodhi pak para orës 02:00 të mëngjesit të së martës, kur një 54-vjeçar u qëllua me armë zjarri në një zonë banimi në veri të qendrës së qytetit. Kurse viktima më e re ka qenë  21 vjeç.

Asnjë nga të shtënat nuk është kapur nga kamerat video dhe nuk është gjetur asnjë armë zjarri. “Nuk kemi asnjë video ku dikush mban ndonjë armë apo kryen një krim”, ka treguar Silva.

Megjithatë, pamjet e disponueshme dhe provat lidhin pesë vrasjet. Të pesë burrat u qëlluan nga një pistoletë, megjithëse nuk është ende e qartë nëse e njëjta armë është përdorur në secilin krim.

Policia ka deklaruar se viktimat ishin secili duke ecur vetëm ose në një makinë të parkuar kur u vranë në mbrëmje ose herët në mëngjes në qytetin me 320 mijë njerëz rreth 50 milje në jug të kryeqytetit të shtetit, Sacramento.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore