Sport

Vrapuesja e “liqenit”, e cila u bë kampione e Evropës


Shtatshkurtësia e saj, ndoshta është edhe avantazhi fiziologjik më i lartë që natyra i ka dhënë, një vajze nga Bulqiza, me një buzëqeshje cep më cep dhe energji pozitive të pashtershme, edhe në kohë të zymta.

Përfaqësimin e Shqipërisë, e ka filluar 11 vjet më parë, në 2011-ën, kur garimin e nisi në disiplinën e 800 metrave.

Rezultatet qenë të mira për një vend si Shqipëria, por jo mjaftueshëm për të qenë ndër të parat e kontinentit.

E arsyeshme iu duk të ndërrojë disiplinë e të shtojë metrat, t’i bënte 1 mijë e 500 në garim.

E kuptuan të gjithë (thuajse), se diçka e madhe jetonte në brendinë e saj fizike dhe mendore, kur filloi të zinte vende të larta në ngjarje sportive me rëndësi, si Lojërat Mesdhetare, apo edhe kampionate botërore.

Mirëpo sërish, diçka dukej se mund të bëhej më mirë e më suksesshëm. Pas pesë vjetësh garim profesionist, vendimi ishte marrë: Disiplina për të cilën ajo kishte lindur, ishte ajo e 3 mijë metrave me pengesa.

Kohët fillimisht ishin të kënaqshme dhe rekorde kombëtare po thyheshin në mënyrë të njëpasnjëshme.

Arritja e parë e madhe në këtë disiplinë, do të vinte në vitin 2018, në Tarragona të Spanjës, ku zhvilloheshin Lojërat Mesdhetare dhe arriti medaljen e artë.

Mirëpo, zonën e medaljeve në Evropian, nuk e arriti dot fatkeqësisht dhe katërt vjet, me ose pa dëshirë, duhet t’i priste, që lavdia të vinte.

Më 20 gusht 2022, shqiptarët i kthyen sytë për nga ajo.

Në 9 minuta e 11 sekonda e 31 të mijtat e sekondave, historia u shkrua.

Emri i saj, Luiza Gega, u ndriçua në ekranin e madh të Kampionatit Evropian të Atletikës, i cili po zhvillohej në Mynih.

Dy iniciale, CR, u shfaqën karshi kohës së saj së mahnitshme në garë. Domethënia, është rekordi i ri i kampionatit evropian. Rekordi që mbahet tashmë nga shqiptarja Luiza Gega, e cila vuajtjet për të arritur aty, nuk i ka pasur as të pakta, as të lehta.

Si “Luiza në botën e çudirave”, i dukej asaj vetja më parë, kur për t’u stërvitur nuk kishte një pistë të mirëfilltë vrapimi dhe përfitonte nga ajri i pastër i zonës së Liqenit Artificial në Tiranë, për të vrapuar.

Dita nuk është edhe shumë e largët, pasi bëhet fjalë për vitin 2019, kur Luiza do të merrte edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, si një sportiste e kalibrit botëror, e cila stërvitej praktikisht rrugëve.

“Ndonjëherë më ndalojnë njerëzit edhe më përgëzojnë për vullnetin. Të tjerë, më thonë sa je dobësuar, çfarë po bën. Më duket me të vërtetë vetja si në botën e çudirave ndonjëherë”, deklaronte asokohe Luiza Gega.

Mbi tartanin “gungaç” të asaj që mund të quhet si pistë e liqenit, 45 kilogramët e saj, u shndërruan në më të rëndët për atletikën shqiptare dhe më të suksesshmit njëkohësisht.

Shteti filloi ta kuptonte se tek ajo duhej investuar dhe kështu u bë, duke ndërtuar një sërë pistash tartani për stërvitje dhe duke i mundësuar sesione stërvitore edhe jashtë vendit.

Fjala bie, për lojërat Olimpike në Tokyo 2020, të cilat fillimisht u shtynë prej pandemisë COVID-19, një “incident” ndodhi, pasi Gega u bllokua në Kenya, ku kishte shkuar të stërvitej.

Situata ishte e paqartë, e turbullt, me strukturat shtetërore nuk kishte pasur kontakt.

Mirëpo si një mentalitet fituesi dhe kampioneje e lindur që është, vendosi ta kthente në të mirën e saj situatën dhe të vijonte të stërvitej atje, në 3 mijë e 500 lartësi mbi nivelin e detit, duke përfituar nga “e keqja” që i ndodhi me bllokimin atje.

Kjo është çfarë e bën dallimin.

Sa herë është kritikuar sepse pritshmëritë i kishte për medalje, e arritjet, disi më poshtë tyre.

Jo të paktë kanë qenë edhe ata, të cilët kanë shfryrë dufin e vrerin mbi të në media sociale, duke e akuzuar edhe për doping jo pak herë.

Por fjalët nuk mbesin, veprat po.

Dhe vepra e Luizës, do të mbesë ndër dekada, ndoshta edhe shekuj, si shqiptarja e parë, e cila ka fituar një medalje të artë në nivel kontinental, në disiplinën mbretëreshë të sporteve, atletikën.

Me buzëqeshje nga veshi më vesh kur gjithçka arrinte ishte një kualifikim në finale, pasi stërvitej tek pista e liqenit, Luiza vijon të jetë në botën e çudirave shqiptare.

Shumë ka ndryshuar gjithsesi…

Investimet po duken në fusha sportive. Po ashtu, edhe në aspekte monetare, apo qoftë edhe në përulësinë shtetërore, për t’i dhënë dikujt si ajo një ceremoni e një nderim të cilin e meriton.

E, prapë, buzëqeshja e saj nuk ka ndryshuar, ku nga lotët e dhimbjes e sakrificës, Luiza e çuditi vetë Shqipërinë dhe i ktheu mundimet e saj në gëzim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore