Kosova

Votimi i mërgatës në Zgjedhjet Parlamentare, Gërvalla: I këshilloj zhurmaxhinjët të qetësohen dhe të studiojnë ligjin


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se dikasteri të cilën ajo e drejton së bashku me Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) po punojnë çdo ditë për “t’i siguruar secilit qytetar të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, ashtu si e parashohin ligjet e Republikës së Kosovës, të drejtën dhe mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”.

“E drejta e mërgatës për të votuar, si e drejtë themelore demokratike, buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa mënyra e votimit rregullohet me Ligjin e ri Zgjedhor, të miratuar gjatë këtij mandati qeverisës nga Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Gërvalla ka hedhur kritika mbi persona pa specifikuar konkretisht askënd, por duke i etiketuar si “zhurmaxhinjë”, për siç tha ajo tentim për të penguar mundësinë e votimit “të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës”.

“I këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin. Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha kur për motive të ulëta politike, vota e mërgatës pamundësohej dhe gjymtohej deri në ekstrem”, ka shtuar ajo.

Gërvalla duke potencuar se mërgata është pjesë e pazëvendësueshme e Kosovës ka vlerësuar se në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit të  vitit 2025 “ajo do të mund të votojë pa barriera burokratike dhe administrative dhe për herë të parë edhe në ambasada dhe konsullata, por edhe përmes postës, pra ashtu siç e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka vlerësuar se akoma pa nisur mirë procesi zgjedhor tashmë kanë nisur problemet e para me votimin jashtë vendit.

Cakolli, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), jashtë çdo standardi ka propozuar që si qendra të votimit të hapen gjithsej 35 përfaqësi diplomatike me rreth 45 vendvotime, ku sipas tyre do të mund të votojnë plotë 360 mijë qytetarë.

“Kjo është 1) teknikisht e pamundur – meqë i bie që në 12 orë të votimit, brenda secilit minutë të votojnë 11 qytetarë; 2) në kundërshtim me ligjin – sepse numri maksimal i votuesve për vendvotim është 750 votues; dhe 3) tendencë për pengim të procesit, e mbase edhe për krijim të përshtypjes se po tentohet pengimi i votimit të diasporës”, ka shkruar Cakolli në rrjetin social ‘Facebook’.

“MPJD anashkalon standardet, propozon që 35 përfaqësi diplomatike të hapen si qendra votimi jashtë vendit”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore