Lajme

Von der Leyen të mërkurën në Kosovë


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën do të jetë në Kosovë.

Ajo do të takohet me fillim nga ora 9:00 me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa nga ora 10:00 do të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Von der Leyen është në një vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Të martën, ka qenë në vizitë në Shqipëri, ku është takuar me krerët e shtetit, ndërsa më pas ka vazhduar vizitën në Maqedoni të Veriut.

Ndërsa, gjatë vizitës së saj në Shkup, ajo ka theksuar brengën e saj për gjendjen në Kosovë, duke kërkuar nga palët shtensionimin e situatën në veri të Kosovës.

“Unë jam e shqetësuar për krizën aktuale midis Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme tani që gjërat të mos përshkallëzohen dhe palët të ulen në tryezën e negociatave. BE ka një histori të gjatë dhe është ndërtuar mbi dialog dhe bashkëpunim të ngushtë ekonomik”.

Po ashtu shtoi se, “kur filluam 70 vjet më parë dhe pas një pjese të tmerrshme të historisë sonë në Luftën e Dytë Botërore, duhej shumë dialog dhe bashkëpunim që plagët të shëroheshin për të ndërtuar miqësinë dhe bazuar në besimin erdhi pajtimi. Nevojitet një tryezë negociatash ku të flasim për probleme”, tha Ursula von der Leyen pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës në Shqipëri.

Ajo mirëpriti një deklaratë të kryeministrit maqedonas, i cili tha se dialogu mund të jetë i dobishëm për të ardhmen e njerëzve.

“Unë mbetem një mbështetës i fuqishëm i dialogut. Udhëheqësit duhet të ulen në tryezë dhe diskutojnë për zgjidhjen e problemeve. Unë jam i bindur se ne duhet t’i përdorim të gjitha mundësitë për bisedime, partneritet, bashkëpunim dypalësh”.

Presidentja e Komisionit Evropian dhe kryeministri Zaev theksuan besimin e tyre se Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Slloveni, më 6 tetor, do të ecë përpara me zgjerimin e BE -së duke shënuar mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare deri në fund të vitit.

Gjatë ditës së hënë, Bashkimi Europian ka përsëritur qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet dhe të zgjidhin çështjet përmes dialogut të lehtësuar nga BE, si e vetmja platformë për t’u marrë vesh mes vete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore