Shqipëria

Von Der Leyen: E lumtur t’i shoh liderët e Ballkanit në Berlin, jemi këtu për të thelluar integrimin ekonomik


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shprehur e lumtur që i pa të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor në Berlin, një javë pas vizitës së saj në rajon.

“Ne jemi këtu për të thelluar integrimin tonë ekonomik. Duke filluar me energji”, ka shkruar Der Leyen.

Ajo ka shtuar se paketa e BE-së për Mbështetje të Energjisë do t’i ndihmojë BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për të ardhmen.

“Ne jemi këtu për të thelluar integrimin tonë ekonomik. Duke filluar me energji. Paketa jonë e Mbështetjes së Energjisë prej 1 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë të formojmë të ardhmen tonë të përbashkët energjetike”.

Procesi i Berlinit është një format i takimeve vjetore që qeveria gjermane, nën kancelaren Angela Merkel, inicioi në vitin 2014 kur u mbajt në Berlin Konferenca për Ballkanin Perëndimor.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i këtij rajoni në BE.

Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Si pjesë e Procesit të Berlinit, çdo vit organizohen një sërë takimesh vijuese të përfaqësuesve të politikës, biznesit dhe shoqërisë civile.

Këtë vit takimi i ministrave të punëve të brendshme u mbajt më 20 tetor, ndërsa i punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse më 21 tetor.

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij, por jo vetëm.

Një nga synimet kryesore të Procesit Ballkanik, i cili pritet të diskutohet gjatë këtij takimi në mes të shteteve do të jetë edhe përmirësimi i furnizimit të rajonit me energji elektrike, veçanërisht në kushtet e krizës së fundit energjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore