Kosova

Von Cramon: Të hetohet përfshirja potenciale e Serbisë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar hetim për të kuptuar përfshirjen e mundshme të strukturave të Serbisë në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Veri, ku mbeti i vdekur një polic i Kosovës dhe të tjerë të lënduar.

“Pjesëmarrja potenciale e strukturave të Serbisë duhet të hetohet derisa është jetike që të merren të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur paqen dhe rendin. Unë lus të gjithë akterët që t’i bindin të armatosurit në Manastirin e Banjska-s që të dorëzohen pa vonesë”, ka shkruar ajo në platformën X.

“Dënoj fuqishëm sulmin e dhunshëm në Policinë e Kosovës dhe shpreh solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës. Sulmi i orkestruar në policinë e Kosovës është absolutisht i papranueshëm dhe sulmuesit duhet të sillen para drejtësisë. De-eskalimi i menjëhershëm është i nevojshëm dhe përshirë edhe shtimin e numrit të forcave të KFOR-it në Veri të Kosovës”, deklaroi euro-deputetja.

Ajo ka thënë se “mirëpres hapet e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, duke shpresuar se secili qëndron i qetë në çdo pjesë të Kosovës”, kurse u ka shprehur “ngushëllime në emër të Parlamentit Evropian për familjen e policit të vrarë në detyrë dhe sinqerisht shpresoj për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore