Lajme

Von Cramon: Për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Veri të ketë trajtim të barabartë


Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon.

Pas shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon, ka mirëpritur vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili ka vendosur që më 21 prill të jetë dita kur qytetarët e komunave Veriore – të banuara me shumicë serbe – do të votojnë për të shkarkuar kryetarët e komunave të tyre, përkatësisht Erden Atiqin, Lulzim Hetemin, Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin.

Cramon përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka kërkuar trajtim të barabartë edhe në këtë proces.

“Unë e mirëpres vendimin e KQZ-së për caktimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave, gjë që do t’i hapë rrugën depërshkallëzimit të mëtejshëm. Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të respektojnë procedurat demokratike për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në veri”, ka shkruar ajo.

Dy ditë para se ta mbushin një vit të plotë që janë zgjedhur, kryetarët e katër komunave Veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – do të përballen me një votim tjetër, tani për shkarkim.

Kjo datë u rekomandua nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Për të filluar iniciativën për shkarkimin e kryetarëve, ishte ndjekur rruga të cilën e kishte formuluar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që drejtohet nga Elbert Krasniqi, përmes një Udhëzimi Administrativ.

Në bazë të këtij udhëzimi, për të iniciuar nismën për shkarkimin e kryetarëve, duhet të mblidheshin 20 për qind e nënshkrimeve të banorëve me të drejtë vote në atë zonë.

Nënshkrimet e nevojshme, pra 20 për qindëshi, ishin mbledhur në janar të këtij viti, në një periudhë tejet të shkurtër kohore.

Për shkarkimin e kryetarëve, gjithmonë sipas Udhëzimit Administrativ, duhet që 50 për qind e votës totale që merr pjesë në votime të shprehet pro largimit të tyre.

Kur dhe si u zgjodhën kryetarët shqiptarë në komunat Veriore?

Kryetarët shqiptarë në komunat Veriore ishin zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto qytete më 23 prill të vitit të kaluar, pas dorëheqjeve të atyre serbë, më 5 nëntor 2022.

Serbët lokalë – që janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – i kishin bojkotuar në shumicë dërrmuese këto zgjedhje, çka i kishte hapur rrugë kandidatëve shqiptarë për t’u vendosur në krye të këtyre komunave për herë të parë në histori, edhe pse me numër tejet të vogël votash, kryesisht shqiptare.

Ndonëse ishin bojkotuar nga serbët, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbështetën këto zgjedhje.

Por, situata do të ndryshonte më pas, posaçërisht që nga 26 maj.

Do krijoheshin tensionet më të mëdha në atë pjesë të vendit, në tërë historinë e Kosovës së pasluftës.

Vendimi i institucioneve kosovare për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e zgjedhur shqiptarë – pa koordinim me ndërkombëtarët – hasi në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë.

Me asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj, nën kundërshtimin e serbëve lokalë, kryetarët arritën që të futeshin në zyrat e tyre në objektet komunale.

Mirëpo, si pasojë e këtyre tensioneve, bashkësia ndërkombëtare e kishte fajësuar vetëm Kosovën. Madje, Departamenti amerikan i Shtetit kishte thënë se kjo situatë e krijuar mund të ndikojë në relacionet në mes të dy vendeve.

26 maji nuk ishte dita e vetme kur pati dhunë.

Në përmasa edhe më të mëdha ishte më 29 maj, vetëm tri ditë më pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore