Kosova

Von Cramon për vizat: Kosova të bashkëpunojë me shtetet që s’e kanë njohur


Viola von Cramon, eurodeputetja Gjermane

“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në mënyrë bilaterale me ato shtete anëtare, të cilat janë akoma kundër liberalizimit të vizave”, vlerëson Viola von Cramon, Eurodeputetja gjermane dhe njëherësh raportuesja e grupit parlamentar Të Gjelbërit/ EFA, për Kosovën, në një përgjigjje me shkrim për Albanian Post.

Tanja Fajon, anëtarja e Parlamentit Evropian nga shteti Slloven dhe njëherësh raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, pati dërguar kërkesën Parlamentit Evropian për votimin e propozimit për liberalizimin e vizave për shtetin e Kosovës.

Bazuar në këtë propozim, me datën 13 shtator të vitit 2018 Parlamenti Evropian me shumicë votash kishte mbështetur propozimin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave.

Në favor të këtij propozimi votuan 420 deputetë nga 705 sa janë gjithsej ndërsa kundër ishin 186 prej ndërsa 22 euro-deputetë abstenuan.

Në mesin e shteteve që ishin kundër liberalizimit të vizave ishte edhe Franca, njëherësh edhe njohese e pavarësisë së Kosovës.

Nga 67 euro-deputet francez që ishin të pranishëm në Parlamentin Evropian 43 patën votuar kundër.

Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon njëherësh edhe raportuesja e grupit parlamentar Të Gjelbërit/ EFA, për Kosovën, ka thënë për Albanian Post se Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë me shtetet të cilat janë kundër liberalizimit të vizave dhe sidomos me shtetin e Francës.

Sipas saj, Kosova duke i shmangur konfliktet e brendshme politike mund të hap një diskutim konstruktiv me shtetet që janë kundër liberalizimit të vizave, gjithashtu reformat në drejtësi dhe luftimi i korrupsionit do të kontribuonin shumë në këtë aspekt.

“Më e rëndësishmja, është Franca, e cila nuk është ende e gatshme të vendosë. Për më tepër, zbatimi i një reforme në gjyqësor ose në luftën kundër korrupsionit mund të jetë me siguri i dobishëm gjithashtu”, ka thënë Cramon përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

Ajo më tutje tregon se vite më parë edhe Gjermania ishte skeptike karshi liberalizimit të vizave për Kosovën, por bashkëpunimi ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës bëri që qëndrimi i shtetit të saj të ndryshojë.

“Qeveria gjermane ishte gjithashtu skeptike në lidhje me liberalizimin e vizave, megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme ka bashkëpunuar me homologët e tyre në Kosovë, dhe autoritetet e Kosovës ishin në gjendje të adresonin të gjitha shqetësimet e tyre. Përmes bashkëpunimit është e mundur të ndryshohet qëndrimi, megjithatë, ka nevojë për një gatishmëri nga të dy palët”, ka shtuar ajo.

Sipas Cramon, Franca dhe shtetet e tjera anëtare të cilët janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të kuptojnë se kjo çështje është përtej liberalizimit të vizave, ka të bëjë me besueshmërinë kundrejt Bashkimit Evropian (BE).

“Nëse ne kërkojmë diçka nga një vend i tretë, dhe ata përmbushin të gjitha standardet por Këshilli i BE-së e vonon këtë procedurë për vite, kjo tregon se BE nuk është një partner i besueshëm”.

Për hulumtuesin dhe analistin politik, Shkodran Mustafa, arsyeja se pse Franca ka rezerva ndaj liberalizimit të vizave lidhet me fuqinë politike të frontit nacional në Francë, i cili është një parti e krahut të djathtë dhe e njohur me politikat anti – migracion.

Sipas tij, fronti nacional ka fituar shumë fuqi politike dhe ushtron vazhdimisht presion ndaj Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, duke bërë që Franca të bëhet më e mbyllur dhe më refuzuese ndaj njerëzve që potencialisht mund të udhëtojnë për në Francë.

Ndërsa sipas ligjëruesit të shkencave politike në Universitetin e Prishtinës Dorajet Imeri, procesi i liberalizimit të vizave varet drejtpërdrejtë nga epilogu i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili është edhe arsyeja e Francës për mos votimin e liberalizimit të vizave.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni sigurisht që janë pengesat kryesore që Kosova ka jo vetëm në rrugën e saj Evropian por edhe në ndërtimin e një shteti ligjor, por arsyet kryesore janë ato politike”, ka thënë ai për Albanian Post

Mustafa, ka treguar se Kosova kishte pasur shansin ta fitojë liberalizimin e vizave sidomos ta fitoj pëlqimin e Francës duke e hequr taksën 100 % që ishte politikë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Ka pasur një moment kur liberalizimi i vizave ka qenë i mundshëm. Në samitin e Berlinit, Macroni i patë ofruar, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj që në këmbim të heqjes së tarifës 100 % do të hiqeshin vizat, por ai nuk ka pranuar të bëjë një gjë të tillë, ndërsa ky momentum tani është humbur”, ka thënë ai gjatë një prononcimi për Albanian Post.

Ai më tutje ka shtuar se liberalizimi i vizave është çështje kohësh dhe ai është kundër nëse tema e liberalizimit të vizave bëhet çështje në dialogun Kosovë-Serbi.

“Frika është që liberalizimi i vizave mund të përfshihet në pakon e mundshme në marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe ky do të ishte një lajm edhe jo shumë i mirë për shkak që Kosova do të duhej të bëjë kompromise me diçka që veç se e ka fituar me meritë”.

Ndërsa sipas Imerit, një moment të mirë në kontekstin e liberalizimit të vizave Kosova e kishte pasur përmes demarkimit të kufirit me Malin e Zi, por një shans i tillë ishte humbur nga vetë Kosova ndërsa tani vetëm bisedimet me Serbinë do e përcaktojnë gjithë rrjedhën e procesit të liberalizimit të vizave.

“Kosovës i është premtuar se me demarkimin e kufirit me Malin e Zi, do të liberalizoheshin vizat. Kjo për shumë kënd llogaritet si një moment i mire por i humbur nga Kosova, ndërsa tash, për plotësimin e kushteve, bisedimet me Serbinë, do të përcaktojnë gjithë rrjedhën e procesit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore