Von Cramon në Parlamentin Evropian do të kërkojë që Serbia ta heqë votën kundër Kosovës në KiE

SHFLETO

Viola von Cramon

 

Dreni Himbeqa
09.05.2023 12:14
Loading Icons...

Ndërsa Parlamenti Evropian, të martën në një seancë plenare pritet të diskutojë për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe për normalizimin e raporteve në mes të dy këtyre vendeve, raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, pritet të propozojë që në tekst të rezolutës për Kosovën të përfshihet edhe shprehja e keqardhjes për votimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, votimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, paraqet shkelje të Marrëveshjes së Ohrit, kjo pasi që neni 4 i Ujdisë në fjalë detyron Beogradin zyrtar të mos e pengojë Kosovën në proceset integruese.

Ndër të tjera deputetja gjermane përmes kësaj rezolute pritet të bëjë thirrje Serbisë që të heqë votën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Në tekstin e rezolutës për Kosovën, i cili në Komisionin për politikë të jashtme ka kaluar me 44 vota pro, 8 vota kundër dhe 3 abstenime, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas tekstit, ky veprim reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin e saj të qartë gjeopolitik.

Në tekst përshëndetet edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – proces i cili është përmbyllur më 25 prill, kur vendimi është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Me këtë vendim, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në atë që njihet si Zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra vendesh evropiane, nisur nga 1 janari i vitit 2024.

Parlamenti Evropian pritet që edhe përmes kësaj rezolute të përsërisë thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

PE-ja do të kërkojë gjithashtu nga BE-ja që ta përshpejtojë procesin e zgjerimit, duke e cilësuar këtë si politikën më të suksesshme të bllokut evropian për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.

Në rastin e Kosovës, PE-ja rikujton se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi në sundimin e ligjit, në të drejtat themelore dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Sa i përket dialogut për normalizim raportesh, pritet që porosia e njëjtë të jetë edhe për Kosovën, edhe për Serbinë – se ato duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet që kanë arritur dhe se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve do të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë.