Lajme

Von Cramon mirëpret marrëveshjen KEDS-Elektroserver: Hap në drejtim të normalizimit të plotë


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës për energjinë midis kompanisë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe kompanisë serbe “Elektroserver” në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Lajm i mirë nënshkrimi i kontratës për energjinë ndërmjet KEDS dhe Elektrosever. Ky është një hap në drejtimin e duhur drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve për të pasur më në fund normalizimin e plotë mes Kosovës dhe Serbisë! Integrimi në BE është qëllimi ynë i përbashkët”, ka shkruar eurodeputetja gjermane në platformën “X” të shtunën në mbrëmje.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pa dhënë shumë detaje, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të shtunën gjatë ditës, ka njoftuar se KEDS-i dhe Elektroserveri kanë nënshkruar një kontrantë komerciale për energjinë pas një kohe shumë të gjatë.

“E mirëpres nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit të Energjisë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar diplomati sllovak në platformën sociale “X”, por nuk ka treguar si, ku dhe kur është nënshkruar kontrata në fjalë.

Kjo marrëveshje synon të rregullojë furnizimin dhe faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Serbët në pjesën veriore nuk kanë paguar rrymë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa pas dy dekadave pritet të bëhet një zgjidhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore