Lajme

Von Cramon mbështet protestat në Serbi


Viola von Cramon

Deputetja e Parlamentit Evropian nga radhët e të Gjelbërve, Viola von Cramon, ka mbështetur protestat që janë duke u mbajtur tash e një kohë në Serbi, pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Cramon përmes një cicërime në llogarinë e saj në rrjetin social “Twitter”, ka dhënë mbështetjen e saj për të gjithë protestuesit serbë, duke i konsideruar të drejta kërkesat e tyre, ndër të cilat ndërrimi i dorëheqja e qeverisë dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Mbështetja ime shkon për të gjithë ata në rrugët e Beogradit dhe në mbarë Serbinë, të cilët kërkojnë edhe një herë ndryshimin e qeverisë, lirinë e mediave dhe trajtim të barabartë të të gjithëve. Qytetarët e Serbisë meritojnë një të ardhme më të mirë evropiane”, ka shkruar Cramon në “Twitter”.

Ndryshe, të premten e 30 qershorit, në Serbi ishte mbajtur protesta e nëntë me radhë nga opozita serbe, me sloganin e njëjtë si ato të mëparshmet “Serbia kundër dhunës”, kjo pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Në këtë protestë, qytetarët serbë me ftesë të opozitës, kishin bllokuar autostradën ndërkombëtare E-75.

Përveç automjeteve, në bllokimin e rrugës kishin marrë pjesë edhe këmbësorë dhe çiklistë.

Studentët në protestën e bllokadës së autostradës E-75, 30 qershor 2023.

Një veprim i tillë u bë pasi që, siç deklaruan organizatorët e protestës, bllokadat janë pjesë e “radikalizimit” të protestave.

Qytetarët serbë të cilët kanë dalur për të protestuar ishin dëgjuar duke brohoritur (Aleksandër) “Vuçiç, largohu”.

Radomir Lazoviç, një nga organizatorët e protestave kishte thënë për “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën serbe se bllokimi i rrugëve është duke u bërë si një formë “presioni ndaj qeverisë”.

“Qëllimi është t’u tregojmë autoriteteve se duhet të plotësojnë kërkesat e protestës, të kuptojnë se duhet të ketë vërtet ndryshime në këtë vend tonë që ata refuzojnë t’i shohin”, shtoi ai.

Sipas Lazoviqit, bllokadat e rrugëve janë “vetëm një nga mënyrat e luftimit për përmbushjen e kërkesave”.

“Nuk përjashtoj lloje të tjera të mosbindjes civile. Nesër (e shtunë, 1 korrik) është një marshim proteste drejt TV Pink, që është simbol i propagandës së regjimit”, ka shtuar ai.

Bllokada e autostradës ndërkombëtare E-75 në Novi Sad, 30 qershor 2023.

Protestat “Serbia kundër dhunës”, të premten e 30 qershorit, përveçse në Beograd u mbajtën edhe në dhjetë qytete të tjera; Vrbas, Ruma, Vrsac, Majdanpek, Çaçak, Luçan dhe Zajeçar.

Ata janë duke kërkuar largimin e anëtarëve të Këshillit të Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM), ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gashiç, dhe kreut të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë serbe (BIA), Aleksandër Vulin, konfiskimin e frekuencës kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy, si dhe anulimin e mediave që promovojnë dhunë dhe urrejtje.

Protestat “Serbia kundër dhunës” janë mbajtur që nga 8 maji, në shenjë frustrimi për reagimin e institucioneve serbe pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

“Vuçiç largohu”, dhjetëra mijëra pjesëmarrës në protestën e 8 me radhë në Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore